Biden thotë se angazhimi i SHBA-së ndaj NATO-s është “i palëkundur”

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të premten se angazhimi i SHBA-së për aleancën e NATO-s është i “palëkundur”. Ai premtoi se do ta respektojë parimin e vendeve anëtare të NATO-s, sipas së cilit, një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.

Deklarata e tij është në kundërshtim me paraardhësin e tij, Donald Trump, i cili e quajti aleancën 30-anëtarëshe të vjetëruar dhe në një moment kishte thënë se Uashingtoni mund të tërhiqej nga ajo.

“Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara në aleancën tonë të NATO-s dhe unë mirëpres investimin tuaj në aftësitë ushtarake që mundësojnë mbrojtjen tonë të përbashkët”, tha Biden në një fjalim online në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Ky është “kthim i Amerikës”, tha Biden.

Presidenti amerikan njoftoi se ushtria amerikane po kryente një rishikim gjithëpërfshirës të angazhimit të saj në të gjithë botën, dhe se ai kishte hequr urdhrat për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania. Ky vendim ishte marrë nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.

Përveç kësaj, Biden tha se ai kishte hequr një kufizim të vendosur nga administrata e mëparshme për numrin e forcave amerikane që mund të ishin të vendosura në Gjermani.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer mirëpriti vendimin e presidentit Biden.

“Ne e kuptojmë qartë këtë angazhim të Amerikës për sigurinë evropiane, një NATO të fortë dhe një Perëndim të bashkuar”, i tha ajo agjencisë Reuters.

Udhëheqësit e lartë të sigurisë në botë mblidhen një herë në vit në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Mynihut.

LEXO EDHE:

Back to top button