Itali, kufizime të reja për shkak të rritjes së shifrave COVID-19

Italia ka shënuar sërish një rritje në rastet ditore të COVID-19, ndërsa numri i viktimave, ende i lartë, ka tejkaluar kuotën e 95 mijë vdekjeve. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 15 479 raste pozitive (dje ishin 13 762), sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë.

Viktimat janë 353 (dje ishin 347). Gjithashtu, në rritje është edhe numri i pacientëve në kujdes intensive, me gjithsej 2 059 të shtruar (+14 në bilancin ditor midis hyrjeve dhe daljeve), raporton ATSh.

Në pavijonet e zakonshëm, janë të shtruar në spital me simptoma 17 831 persona. Rastet totale, që nga fillimi i epidemisë, janë tani 2 780 882, ndërsa vdekjet 95 235. Aktualisht pozitive janë 382 448 persona, të shkarkuarit dhe të shëruarit 2 303 199, në izolimin e shtëpisë 362 558.

Ministria italiane e Shëndetësisë njoftoi sot një forcim të masave në tre rajone për të luftuar epideminë COVID-19.

“Rajoni i Campania-s, që përfshin Napolin, Emilia-Romagna-n me qendrën e saj administrative, Bologna, si edhe Molise, do të lëvizin nga kategoria “e verdhë” (me rrezik të moderuar) në kategorinë “portokalli” (me rrezik të mesëm) nga e diela”, specifikoi ministria.

Kjo nënkupton mbylljen e bareve dhe restoranteve, që mund të qëndrojnë të hapura deri në orën 17:00 në rajonet “e verdha”, raporton ATSh.

Gjithashtu, nënkupton edhe kufizime shtesë udhëtimi, sipas të cilave banorët në rajonet “portokalli” nuk mund të largohen nga komuna e tyre e banimit, përveçse për arsye profesionale ose në rast urgjence. Deri më tani, vetëm pesë nga njëzet rajone, përfshirë Toskanën dhe Umbrian në qendër, janë “portokalli”, ndërsa pjesa tjetër e Italisë është “e verdhë”.

Sidoqoftë, një numër kufizimesh të lokalizuara janë vendosur në zonat e prekura nga variante më ngjitëse të koronavirusit të ri.

LEXO EDHE:

Back to top button