Biden zotohet të shtojë vaksinimet

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden thotë se do të tregohet më agresiv në luftën kundër COVID-19, duke shtuar ndër të tjera ritmet e vaksinimit, ndërsa administrata e Presidentit Trump po iu kundërpërgjigjet kritikave lidhur me reagimin ndaj pandemisë që ka lënë deri tani afro 339,000 të vdekur në SHBA.

Në vend janë regjistruar disa përmirësime ditët e fundit, krahasuar me kulmin e infeksioneve të reja në një periudhë dy-mujore, por ende identifikohen rreth 180,000 raste të reja çdo ditë dhe zyrtarët e shëndetësisë parlajmërojnë se udhëtimet dhe grumbullimet për festat mund t’i rrisin përsëri rimet e infeksioneve.

- Advertisment -

Mbetet më pak se një muaj deri kur Joe Biden të bëjë betimin si presidenti i ri amerikan. Të martën ai tha pas një seance informimi me ekspertë se administrata e Presidentit Trump po mbetet shumë prapa në përpjekjet e vaksinimit.

Zoti Biden ka deklaruar si synim 100 milionë vaksinime në 100 ditët e tij të para si president.

Operacioni Shpejtësia Marramendëse i administratës aktuale kishte parashikuar vaksinimin e 20 milionë amerikanëve deri në fund të dhjetorit. Të dhënat e fundit të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se 2.1 milionë vetë kanë marrë dozën e parë nga dy doza të nevojshme të vaksinës.

“Afro 20 milionë doza të para janë veçuar për shtetet me synimin që të dërgohen dhe të bëhen menjëherë. Procesi po ecën me shpejtësi,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany përmes një deklarate të martën në mbrëmje. “Kritikët partiakë ofrojnë thjesht retorika boshe që të trembin amerikanët për qëllime politike, por Presidenti Trump po ofron rezultate”.

Zoti Biden tha se tani që ekziston vaksina, ai ka besim se vendi do të kthehet në normalitet por jo menjëherë.

“Javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë shumë të vështirë për vendin tonë, ndoshta më të vështirat e kësaj pandemie,” tha ai.

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive tha për rrjetin CNN se fakti që raportohen dhjetëra mijëra raste të reja me koronavirus çdo ditë tregon se sëmundja “ka dalë jashtë kontrollit në çdo aspekt”.

Ai tha se numri i të sëmurëve në janar mund të kalojë shifrat e dhjetorit. “Duhet të parashikojmë se do të bëhet më keq” tha Dr. Fauci, pasi miliona amerikanë kanë udhëtuar për të vizituar të afërm dhe miq për Krishtlindje dhe do të udhëtojnë për Vit të Ri, duke përhapur më shumë virusin.

Më herët të martën, Nënpresidentja e zgjedhur amerikane, Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj Doug Emhoff bënë dozat e para të vaksinës së koronavirusit.

Zonja Harris, me origjinë afrikano-amerikane dhe indiano-amerikane, u vaksinua në një qendër mjekësore që u shërben kryesisht afrikano-amerikanëve, duke kthyer vëmendjen para kamerave televizive tek pakicat, të cilat janë goditur në mënyrë disproporcionale nga koronavirusi, në mënyrë që ata të bëjnë vaksinën.

Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden, i cili do të marrë detyrën më 20 janar mori dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19 javën e kaluar.

Presidenti Trump është këshilluar ta shtyjë për më vonë vaksinimin, pasi ai u mjekua me antitrupa monoklonale gjatë shtrimit në spital me COVID-19.

Dr. Fauci tha se zoti Biden, “përmes udhëheqjes së tij nga lart”, mund të ketë një ndikim në luftimin e virusit, një koment që mund të shihet si një kritikë indirekte ndaj Presidentit në largim Donald Trump, i cili shpesh ka nënvlerësuar ndikimin e koronavirusit dhe nuk ka dalë shpesh në publik që nga koha kur ai humbi zgjedhjet muajin e kaluar.

“Ai po thotë të vëmë maskat të paktën për 100 ditë, të gjithë, çdo person, dhe të lëmë mënjanë deklaratat politike mbi përdorimin e maskës”, tha Dr. Fauci për zotin Biden. “Ne e dimë se çfarë funksionon. Ne e dimë që distancimi fizik është i efektshëm. Ne e dimë që shmangia e turmave është e efektshme. Për hir të së mirës, le ta bëjmë këtë të gjithë dhe do të shihni se kurba do të ulet.”

Në Kolorado, zyrtarët shtetërorë të shëndetësisë thanë se një djalë në të 20-at, i cili nuk ka bërë udhëtime kohët e fundit, ka rezultuar pozitiv për variantin e ri të koronavirusit të zbuluar për herë të parë në Britani. Ky është rasti i parë i identifikuar në SHBA.

Shkencëtarët në Britani besojnë se varianti i ri i virusit është më ngjitës sesa llojet e identifikuara më parë të SARS-CoV-2. Vaksinat që jepen tani mendohet të jenë efektive kundër variantit të ri të Covid-19, thanë zyrtarët shëndetësorë të Kolorados në një njoftim për shtyp.

Zbulimi i variantit të ri detyroi Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve të nxjerrë rregulla të reja në Ditën e Krishtlindjes për udhëtarët që mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara nga Britania, duke kërkuar që ata të tregojnë prova të një testi negativ të COVID-19.

Po të martën, Luke Letlow, një republican që pritej të bënte betimin në janar si anëtar i ri i Dhomës së Përfaqësuesve pasi fitoi zgjedhjet në nëntor, vdiq nga komplikacionet e shkaktuara nga COVID-19.

Politikani 41-vjeçar u shtrua në spital më 19 dhjetor pasi rezultoi pozitiv për COVID-19.

“Na dhemb zemra tani që kemi mësuar lajmin e vdekjes së ligjvënësit të zgjedhur, Luke Letlow,” tha kreu i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Kreytarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha përmes një deklarate se Dhoma mban zi për ligjvënësin e zgjedhur dhe se “dhimbja jonë bëhet edhe më e rëndë nga pasha e vuajtjeve të kaq shumë familjeve që kanë humbur njerëz të dashur nga ku virus i tmerrshëm”.

LEXO EDHE:

Back to top button