Bisedë telefonike Biden-Putin, vazhdon kontrolli i armëve

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden të martën përmes telefonit ka folur me homologun e tij rus, Vladimir Putin gjatë së cilës diskutuan për disa çështje midis dy vendeve. Midis tyre kanë qenë sulmet kibernetike SolarWinds dhe raportet se Moska vendosi shpërblesa mbi kokën e ushtarëve amerikanë në Afganistan, sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, e cila ngjalli zemërim në Capitol Hill kundër Moskës.
Biden dhe Putin “diskutuan gatishmërinë e të dyja vendeve për të zgjatur New START për 5 vjet, duke rënë dakord që ekipet e tyre të punojnë urgjentisht për të përfunduar zgjatjen deri më 5 shkurt”, thuhet në njoftim, duke iu referuar Marrëveshjes së Re të Reduktimit të Armëve Strategjike.
Biden, sipas njoftimit, po ashtu “ngriti çështje tjera shqetësuese, përfshirë sulmin e SolarWinds, raportet e Rusisë duke vendosur shpërblesa mbi kokën e ushtarëve të Shteteve të Bashkuara në Afganistan, ndërhyrjen në zgjedhjet e SHBA-ve dhe helmimin e (kritikut të Kremlinit) Aleksey Navalny”.
Gjatë telefonatës, Biden thuhet se i tha Putinit se Washingtoni do të mbrojë interesat e tij si përgjigje të veprimeve të Moskës “që dëmtojnë ne ose aleatët tanë”.
“Të dy presidentët u dakorduan që të mbajnë një komunikim transparent dhe të qëndrueshëm duke shkuar përpara”, thekson njoftimi.
Të dy udhëheqësit po ashtu u dakorduan të eksplorojnë diskutimet mbi kontrollin e armëve dhe çështjet e sigurisë dhe Biden riafirmoi mbështetjen e SHBA-ve për sovranitetin e Ukrainës.