Bisedimet me Bullgarinë, Milloshoski thërret në interpelancë Osmanin

Të mërkurën në Kuvend, ministri Bujar Osmani pritet të zbardhë planin e veprimit dhe udhërrëfyesin për të cilat Maqedonia bisedon me Sofjen zyrtare. Zhvillimi i këtillë i ngjarjeve pason pasi deputeti i VMRO DPMNE-së dhe kryetari i Komisionit për politikë të jashtme, Antonio Milloshoski sot në mëngjes publikoi se e cakton seancën të mërkurën në ora 15:00, ku pret që ministri Osmani të referojë para deputetëve.

“Para gjashtë muajve të plota, më 16 janar, po kjo Qeveri kushtëzoi konkluzionin se para deputetëve do të prezantohen informacione për propozim planin e veprimit që e bisedojnë me Bullgarinë, por deri më tani, në vend të llogaridhënies kishim vetëm heshtje, jo- transparencë dhe përçmime të shpeshta të Maqedonisë. Konkluzioni është se në demokraci normale për temat më të rëndësishme kombëtare, Qeveritë vetë nisin debat me Kuvendin ndërsa në regjimet hibride siç është Maqedonia, nevojiten protesta që të detyrosh një ministër qeveritar të japë llogari para deputetëve”- deklaroi Antonio Milloshoski- deputet i VMRO DPMNE-së.

Për “dorën e shtrirë” nga VMRO DPMNE-ja, Ministri Osmani nuk jep përgjigje konkrete nëse do të paraqitet në Kuvend, megjithëse lë të kuptohet se kjo mund të ndodhë.

“Do të bëj çdo përpjekje për t’i dhënë fund ofensivës aktuale diplomatike dhe për të qenë në Shkup për disa orë të mërkurën për t’iu drejtuar deputetëve dhe anëtarëve të Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pres me të njëjtin zell që kryetari i Komisionit, Antonio Milloshoski, ta caktojë seancën në të cilën do t’i paraqesin tezat dhe ambasadorët e zgjedhur, të cilat do të hapin rrugën për drejtimin e tyre në vendet ku duhet shkuar- pohoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme

Tre pengesat që e bllokojnë rrugën për në BE janë çështjet e hapura nëse qeveria teknike Bullgare ka mandat ta heqë veton, nëse do të arrihet një marrëveshje mbi përmbajtjen e udhërrëfyesit dhe nëse ai do të jetë pjesë e kornizës negociuese apo Këshillit për Stabilizim dhe Asociim. Ministri Osmani njoftoi se nesër, së bashku me Kryeministrin Zoran Zaev, do të takohen me Presidentin Bullgar Radev në margjinat e takimeve të NATO-s. Protestat e VMRO DPMNE përpara Ministrisë së Punëve të Jashtme vazhdojnë për dy ditët e ardhshme, duke kërkuar që qeveria të shpjegojë se çfarë saktësisht po negociohet me Bullgarinë.

Alsat

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button