Blinken akuzon Rusinë për goditje të furnizimit global ushqimor

Blinken akuzon Rusinë për goditje të furnizimit global ushqimor

Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri përgjegjëse Rusinë dhe ndikimin që ka patur agresioni i saj ndaj Ukrainës, tek uria globale. Rusia u tërhoq muajin e kaluar nga marrëveshja që i krijonte mundësi Ukrainës të eksportonte grurë drejt tregjeve globale, duke shkaktuar rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.

Rusia ka vënë në shënjestër portet dhe objektet e magazinimit, jetike për transportin e grurit nga Ukraina. Sulmet vijnë pasi Moska u tërhoq muajin e kaluar nga marrëveshja për grurin që e lejonte Kievin të eksportonte drithëra drejt tregjeve globale gjatë agresionit rus.

Të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken kryesoi një takim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i përqendruar tek pasiguria ushqimore…duke fajësuar Moskën për pamundësinë e Ukrainës që të eksportojë grurë.

“Çdo anëtar i këtij këshilli, çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet t’i thotë Moskës mjaft. Mjaft përdorët Detin e Zi si mjet shantazhi. Mjaft me shfrytëzimin e njerëzve më të rrezikuar në botë për të përfituar. Mjaft me këtë luftë të pajustifikuar dhe të paarsyeshme”, tha Sekretari Blinken në Këshillin e Sigurimit.

Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit, David Miliband i tha këshillit se ka konsensus se konflikti është shkaku kryesor i pasigurisë ushqimore sot, i përkeqësuar nga kriza klimatike.

“Këto vende dihen. Çdo vlerësim nxjerr të njëjtën listë: Somalia, Afganistani, Jemeni, Nigeria, Sudani i Jugut, Sudani, Burkina Faso, Mali, Haiti. Saktësia e vlerësimit nuk është vënë në dyshim, por shumë shpesh vlerësimi pasohet nga një krizë reale”.

Zoti Blinken vuri në dukje se pesë vjet më parë, Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë ku thuhej se veprimet e qëllimshme për të shkaktuar uri mes civilëve mund të përbëjnë krim lufte.

“Afro 90 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, tashmë kanë nënshkruar një komunikatë të re të përbashkët, që ne hartuam dhe qarkulluam, duke u angazhuar për t’i dhënë fund përdorimit të urisë dhe ushqimit si armë lufte. U bëj thirrje të gjitha shteteve anëtare t’i bashkohen kësaj komunikate”, tha kryediplomati amerikan.

Muajin e kaluar presidenti rus Vladimir Putin priti udhëheqësit e vendeve afrikane për një takim të nivelit të lartë, ndërsa kontinenti po përgatitej për pasojat e tërheqjes së Moskës nga marrëveshja e eksportit të grurit ukrainas.

Moska u përpoq të qetësonte partnerët e saj afrikanë, duke thënë se e kuptonte “shqetësimin” e tyre dhe ishte gati të eksportonte grurë falas në vendet afrikane që kanë nevojë.

Ekspertët e ndihmave thanë në takimin e Kombeve të Bashkuara se sasitë e nevojshme të ushqimeve për të gjithë ekzistojnë, por në shumë vende banorët nuk kanë ushqimet e nevojshme për të mbijetuar pasi furnizimet po bllokohen nga një konflikt i panevojshëm.

LEXO EDHE:

Back to top button