Blinken: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës
Blinken: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Gazetare: Semra Musai
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të shtetit. Ai iu bëri thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet. Blinken gjithashtu tha se autorët e këtij krimi duhet të mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit.
“Ne u bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet, dhe menjëherë të punojnë, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, për shtensionimin e situatës, të ofrojnë siguri dhe sundim të ligjit dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, tha Antoni Blinken, Sekretar Amerikan i Shtetit.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni e vlerëson koordinimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe atë të NATO-s, KFOR, “veçmas për të ofruar siguri për civilët në vendngjarje”, duke shtuar se SHBA-ja do të vazhdojë ta monitorojë situatën. Ndërkaq emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se në ditët në vijim do të fokusohet në gjetjen e një rruge përpara, derisa sulmin e së dielës ndaj policëve në veri të Kosovës e ka quajtur akt frikacak.
“Një akt i tillë frikacak i dhunës është thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit. Zemra ime është me viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre. Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues..Në ditët në vijim, do të fokusohem plotësisht në gjetjen e një rruge përpara”, deklaroi Mirosllav Lajçak, Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 14 shtator në Bruksel për një nivel të lart bisedimesh në dialogun e ndërmjetuar nga Bashkimi Evropian, por nuk arritën asnjë pajim për normalizimin e marrëdhënieve. Kurti e akuzoi Lajçakun se u pozicionua kundër Kosovës në takimin mes palëve dhe se propozimet e Serbisë i kishte shndërruar në propozim evropian. /Alsat.mk