Borell: Kurti dhe Vuçiq u pajtuan që të respektojnë të gjitha nenet e marrëveshjes së 27 shkurti

Borell: Kurti dhe Vuçiq u pajtuan që të respektojnë të gjitha nenet e marrëveshjes së 27 shkurti

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e vlerësoi si të rëndësishme pajtimin e Kurtit dhe Vuçiqit për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja. Borrell tha se Kosova është pajtuar “që t’i nisë menjëherë negociatat me BE-në” për të siguruar “një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

“Për zbatimin e nenit 7, Kosova është pajtuar të nisë menjëherë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të krijuar rregullime specifike dhe garanci në mënyrë që të sigurojë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, tha Zhozef Borell, Përfaqësues i lartë i BE-së.

Edhe pse palët vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, tha ai, ato u pajtuan që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian. Është e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm për shkak të Kosovës dhe Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, shtoi ai.

Zyrtari i lartë evropian tha se në takim, Kurti dhe Vuçiq kanë mbështetur “deklaratën për personat e zhdukur, ashtu siç është negociuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente”.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, deklaroi se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje “të vështirë, por të nevojshme”. Ai tha se arritja e pajtimit mundëson që Kosova dhe Serbia të ecin drejt integrimeve euroatlantike.

“Dua të uroj palët për arritjen e një marrëveshjeje të vështirë, por të nevojshme për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe të parashikueshme midis tyre. Kjo, jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”, theksoi Gabriel Eskobar, I dërguar i SHBA-së për Ballkanin.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button