Borisov fitoi zgjedhjet në Bullgari, por vështirë të formoj qeverinë

Borisov fitoi zgjedhjet në Bullgari, por vështirë të formoj qeverinë

Gazetar: Lluka Andreev

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari nuk sollën zgjidhje të krizës politike në vend. Gjithnjë e më shumë ka gjasa që Bojko Borisovi të mos mund të arrijë në mënyrë të pavarur të sigurojë shumicën në Parlament. Kundërshtarët e tij politikë kanë thënë publikisht se nuk do të bëjnë koalicion me Borisovin.

“GERB është forca e parë politike dhe ka një përgjegjësi të madhe. Vetëm tetë muaj më parë bëmë një koalicion të vështirë me 67 deputetë. Tani është radha e tyre, populli ua ka dhënë mandatin. Ne nuk do të bëjmë koalicion me GERB-in dhe DPS-në”, deklaroi Kiril Petkov – “Vazhdojmë me ndryshimin”.

Nëse Borisovi nuk e shfrytëzon mandatin, topi i kthehet “Vazhdojmë me ndryshimet” e ish-kryeministrit KirilL Petkov. Socialistët do të bënin koalicion me këtë parti, por me kusht që Petkovi të mos jetë kryeministër.

“GERB fitoi zgjedhjet dhe tani përgjegjësia është e tyre për të formuar qeveri. Ne nuk do ta mbështesim qeverinë e tyre. Nuk do të hyjmë në aleancë me GERB-in dhe DPS-në”, tha Kornelia Ninova – Partia Socialiste Bullgare.

Lideri i Lëvizjes për të Drejta dhe Liri, Mustafa Karadaj, është i hapur për negociata që, siç thotë ai, të krijohet koalicion euroatlantik, por ata dhe GERB nuk kanë vota të mjaftueshme për të formuar vetë Qeverinë.

“Ne mund të flasim me secilin prej tyre për të gjetur një formulë për përbërjen e një mazhorance të qëndrueshme dhe qeverie të qëndrueshme. Partnerët tanë euroatlantikë janë të shqetësuar për situatën politike në Bullgari”, u shpreh Mustafa Karadaj – Lëvizja për të Drejta dhe Liri.

Partia e Slavi Trifonov “Ka popull të tillë” nuk e kaloi pragun zgjedhor. As VMRO-ja e Karakaçanovit nuk e kaloi pragun zgjedhor, ndërsa partia e ekstremit të djathtë “Rilindja”, e cila mbështet hapur Rusinë, doli në vendin e katërt sipas numrit të votave të fituara.

Sipas analizave në mediat bullgare, tani janë në lojë tre skenarë: formimi i një qeverie që nuk do të kishte shumicën në Parlament, formimi i një koalicioni me kurs pro-evropian për shkak të luftës në Ukrainë, ose vazhdimi i funksionimit të qeverisë teknike dhe për të shkuar në zgjedhje të reja në pranverë. Maqedonia nuk ishte në qendër të fushatës parazgjedhore në Bullgari dhe as nuk u përmend në deklaratat e politikanëve pas zgjedhjeve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button