Borrell niset drejt Moskës me “mesazh të qartë” për burgosjen e Navalnyt

Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell, pritet të nisë të enjten vizitën triditore në Moskë, në kohën e rritjes së kritikave nga shtetet perëndimore rreth burgosjes së politikanit opozitar, Aleksei Navalny dhe shtypjes së protestave. Trajtimi i Navalnyt nga ana e Rusisë, arrestimi dhe burgosja e të cilit ka rezultuar me mijëra protestues në Rusi, dhe shtypja e këtyre protestave, pritet të jenë temat që do të dominojnë bisedimet e Borrellit me zyrtarët rusë.

Borrell insiston se ai do të nisë “mesazhe të qarta” te Kremlini gjatë vizitës së tij. Kjo është vizita e parë e një të dërguari të BE-së në Rusi, prej vitit 2017.

“Kur gjërat nuk shkojnë mirë, duhet të angazhoheni”, ka thënë ai më herët gjatë kësaj jave.
Moska ka injoruar thirrjet për të liruar Navalnyn, i cili më 2 shkurt është dënuar me burgim për gati tri vjet, për shkelje të kushteve të një dënimi me kusht, teksa ka qenë në Gjermani duke u shëruar nga një helmim me agjent nervor.

Navalny beson se presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar helmimin e tij.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë më 3 shkurt se Perëndimi e ka tepruar me reagimet e veta ndaj vendimit për Navalnyn.

“Histeria është e kemi dëgjuar rreth procedurave gjyqësore në rastin e Navalnyt, definitivisht janë të tepruara”, është cituar të kenë thënë Lavrov sipas agjencisë TASS.
Kremlini tashmë e ka bërë të qartë se si qëndron kur është puna te përpjekjet për lirim të Navalnyt.

Moska është “e gatshme të bëjë gjithçka” për të zhvilluar lidhje me Brukselin, mirëpo Kremlini “nuk është gati të dëgjojë” rreth çështjes së Navalnyt, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Lidhjet në mes të BE-së dhe Rusisë janë përkeqësuar për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga ana e Moskës më 2014 dhe mbështetjen e vazhdueshme për separatistët në lindje të Ukrainës. BE-ja është e shqetësuar edhe për përfshirjen e Rusisë në Bjellorusi, dhe konfliktet në Siri, Libi dhe vendet tjera.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button