“Brenda 4 javëve në SHBA nga Covid-19 mund të vdesin edhe 90 mijë persona”

Task Forca për Luftën kundër COVID-19 e Shtëpisë së Bardhë, njoftoi se brenda 4 javëve të ardhshme në vend mund të humbin jetën 90 mijë persona për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu. Ekipi i luftës kundër COVID-19 i presidentit amerikan, Joe Biden, i cili erdhi në detyrë javën e kaluar, në një konferencë për shtyp online në Shtëpinë e Bardhë iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Krahas Jeff Zients i cili është në krye të ekipit të Biden për luftën kundër COVID-19, në konferencën për shtyp morën pjesë drejtori i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Alergjike dhe Infektive në SHBA, Dr. Anthony Fauci dhe drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA, Dr. Rochelle Walensky.

Anëtarët e bordit shpjeguan se përparësia kryesore e administratës Biden është që të vaksinohen më shpejt shtresat më të mëdha të shoqërisë dhe se vaksinat shtesë me nga 100 milionë doza që do blihen nga Pfizer dhe Moderna kanë një rëndësi të madhe.

Pandemia ka ende një ndikim serioz në mbarë SHBA-në, theksuan ekspertët, duke ndarë projeksionin se 90 mijë njerëz mund të humbin jetën brenda një muaji për shkak të virusit.

Më tej ekspertët kanë tërhequr vëmendjen se vdekjet ditore kanë arritur mbi 3 mijë në kohët e fundit në SHBA, ku si pasojë e pandemisë kanë humbur jetën mbi 435 mijë njerëz.

Presidenti amerikan, Joe Biden, në një konferencë për shtyp ditë më parë në Shtëpinë e Bardhë, u shpreh se “Do të blejmë edhe nga 100 milionë doza nga vaksinat e Pfizer dhe Moderna. Kjo është një përpjekje e kohës së luftës. Presim që deri në fund të verës ose në fillim të vjeshtës të kemi vaksina të mjaftueshme deri për 300 milionë amerikanë”.

Duke vënë në dukje se planet për vaksinën kanë nevojë për kohë, Biden paralajmëroi se “Parashikohet që vdekjet me burim COVID-19 do të arrijnë 500 mijë deri në fund të shkurtit. Gjërat do të përkeqësohen përpara se të përmisohen”.

LEXO EDHE:

Back to top button