Briken Calja, nuk arrin të futet në zonën e medaljeve në Kampionatin Europian

Shqipëria ka nisur mbrëmë garat në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, aktivitet që po mbahet në Bullgari, një event me rëndësi të dyfishtë, pasi është gjithashtu kualifikues për në Lojërat Olimpike.

I pari që ka përfaqësuar flamurin kuqezi në këtë kompeticion ishte Briken Calja, shtangisti me pritshmëritë më të larta në Kombëtare. 33-vjeçari, ish-kampion Europe dhe Bote, nuk arriti që të futej në zonën e medaljeve, duke e përfunduar dygarëshin në vend të pestë, një rezultat që mbetet i lartë për peshëngritjen shqiptare, por jo për ambiciet e një sportisti të kalibrit të Caljes.

Calja e mbylli dygarëshin me 328 kg, duke u klasifikuar në vend të pestë.

Me këtë rezultat peshëngritësi kuqezi vijon të mbetet jashtë Lojërave Olimpike, ashtu sikurse peshëngritje shqiptare që vazhdon të mos ketë asnjë sportist brenda normës për në “Paris 2024”. Pas Europianit ka mbetur edhe një garë kualifikuese, Kampionati Botëror që do të mbahet në Tajlandë. Radhën për të garuar në Europian sot e ka një tjetër emër i madh i shtangës tonë, Erkand Qerimaj, i cili do të konkurrojë në peshën jo-olimpike 81 kg, me garën e tij që nis në orën 19:00.

LEXO EDHE:

Back to top button