Britania dërgon për verifikim në Policinë shqiptare emrat e nëntë grupeve të trafikantëve

Britania dërgon për verifikim në Policinë shqiptare emrat e nëntë grupeve të trafikantëve

Historia e trafikimit të emigrantëve në drejtim të Anglisë nuk është e re, paçka se herë pas herë Policia ka dhënë ndonjë goditje sporadike me dosje dhe emra konkretë, të ardhur nga autoritete angleze.

Ashtu siç pretendohet, edhe kësaj here, që të nisë gjuetia e drejtuesve të grupeve kriminale që realizojnë nisjen e qindra mijëra shqiptarëve në drejtim të Britanisë.

Prej më shumë se një jave, publikimi i një raporti sekret të shërbimeve sekrete që ishte për Policinë vendase bëri që çështja e emigrantëve shqiptarë të kalonte në fokus të parë dhe madje aktorë të njohur të politikës u shprehen me nota të theksuara kundër tyre.

Shqiptarët që kalojnë La Manshin për të mbërritur në Britani, me gomone, skafe, kamionë e me gjithçka munden janë quajtur kriminelë nga ana e deputetëve britanikë. Po ashtu, për ta është kërkuar që të depërtohen në Ruanda, reagime këto që kanë zënë vend të parë në mediat e vendit ishullor. Mirëpo, autoritete tona, që në fakt janë nxitëset kryesore të këtij emigrimi që e detyron ende rininë shqiptare të rrezikojë për të ndryshuar jetën, kanë kërkuar nga homologët e tyre britanikë të dhëna në lidhje me materialin hetimor që kanë për grupet që janë identifikuar tashmë.

Me anë të oficerit të kontaktit që u vendos para pak kohësh në qytetin-port nga ku dalin shqiptarët për në Angli është kërkuar që të merren emrat e personave shqiptarë që merren me trafikun, gjithnjë duke iu referuar të dhënave që ata kanë për shtetasit shqiptarë.

Janë 9 grupe kriminale që pretendohet se janë zbuluar dhe identifikuar nga ana e Policisë dhe e shërbimeve sekrete britanike.

Nuk dihet se sa prej tyre drejtohen nga shtetas shqiptarë, por bëhet me dije se janë dërguar disa emra personash për verifikime të mëtejshme nga Policia e Shqipërisë.

Policia e Shtetit të Shqipërisë mësohet se ka nisur kërkimet për këta persona për t’i identifikuar jo vetëm si emra, por edhe për të parë nëse janë me precedent të mëparshëm kriminal.

Sipas të dhënave saktësohet se Policia Kriminale dhe Zyra e Antitrafiqeve e kanë bazuar hetimin kryesisht te materialet që u jepen nga partnerët britanikë në lidhje me identitetet e personave që ata kanë zbuluar si pjesë e rrjetit që kryen kontrabandimin kundrejt pagesës që varion nga 3 deri në 20 mijë paund.

Por pavarësisht se prej muajsh në rrjetin social “TikTok” qarkullojnë video shqiptarësh me zë e figurë që reklamojnë këtë biznes të paligjshëm duke publikuar të dhëna konkrete në lidhje me pagesat, vendqëndrimet e detaje të tjera, policia shqiptare nuk ka çelur një hetim për to.

Pavarësisht se rrjeti i kontrabanduesve shqiptarë del hapur, Policia shqiptare i ka varur hetimet vetëm te të dhënat e siguruara nga Britania, e cila vijon sulmet publike kundër shqiptarëve që shkojnë atje duke i përcaktuar si kriminelë dhe persona që duhen çuar në Ruanda.

LEXO EDHE:

Back to top button