Britania pritet të përballet me një dimër të tmerrshëm

Nga Samuel Earle

“The New York Times”

Radhë të gjata para pikave të karburantit. Shoferë në panik që përleshen me njëri-tjetrin,teksa sasia e naftës apo gazit mbaron. Ushtarë që vendosen nëpër pikat e karburantit në gjithë vendin për të disiplinuar shoferët. Dhe në sfond, pandemia e Covid-19që vazhdon të jetë e pranishme, produktet ushqimore që kalben pa u mbledhur nëpër fusha, dhe familje të shumta që po zhyten në varfëri. Kjo është Britania e vitit 2021!

Jo shumë kohë më parë, kur kryeministri Boris Johnson hoqi të gjitha kufizimet e pandemisë në korrik, në të gjithë vendin dominonte një optimizëm i kujdesshëm. Një fushatë e suksesshëm e vaksinimit kishte rikthyer më në fund liritë e çmuara në jetën e përditshme: vizitat e miqve dhe familjarëve në shtëpitë e tyre, shoqërimin me të huajt, ngrënien në restorante.

Rastet e reja me Covid-19, vazhduan të jenë relativisht të larta, por numri i shtrimeve në spital dhe i vdekjeve ra ndjeshëm. Me sa dukej, makthi kishte mbaruar. Por javët e fundit është zhdukur çdo lloj ndjenje e normalitetit.

Një krizë dramatike e furnizimit me karburant, e shkaktuar kryesisht nga mungesa e shoferëve të kamionëve, e cila në kulmin e saj detyroi mbylljen e rreth një të tretës së të gjitha pikave të karburantit në vend, është vetëm shqetësimi më i dukshëm.

Një konvergjencë problemesh -mungesa globale e gazit, rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimit, çështjet e zinxhirit të furnizimit, dhe vendimi i konservatorëve në qeveri për të zvogëluar pagesat e mirëqenies sociale, e ka bërë më të zymtë​​të ardhmen e vendit.

Edhe vetë Johnson, i njohur për optimizmin e tij të pashuar, e ka pasur të vështirë që ta interpretojë këtë situatë. Paniku i javës së kaluar, që na rikujtoi ngjarjet e vërteta por edhe legjendat në lidhje me periudhën e trazuar të fundit të viteve 1970, ishte paralajmëruar prej kohësh.

Për shumë muaj me radhë, udhëheqësit e industrive kishin folur me shqetësim mbi mungesat kronike të krahut të punës – të shoferëve të kamionëve,por edhe të mbledhësve të frutave, përpunuesve të mishit, kamerierëve dhe punonjëse të kujdesit shëndetësor – duke prishur zinxhirët e furnizimit dhe duke penguar bizneset.

Shenjat e krizës janë kudo:rafte të boshatisura në supermarkete, produkte bujqësore që kalben nëpër fusha,dhe gjithnjë e më shumë afishe të varura nëpër dritaret e dyqaneve dhe restoranteve ku kërkohen punëtorë. Madje prodhuesit e mishit i kanë bërë thirrje qeverisë që t’i lejojë të punësojnë të burgosurit për të plotësuar kërkesën për krahun e munguar të punës.

Një nga shkaqet kryesore të këtyre problemeve është sigurisht Brexit, ose të paktën menaxhimi që i ka bërë qeveria aktuale këtij procesi. Tejzgjatja e largimit nga unioni, i ndërmarrë pa ndonjë përpjekje reale nga Johnson për garantimin e një tranzicioni të qetë, çoi në një eksod të vërtetë të punëtorëve evropianë, një proces që u nxit akoma më tej nga pandemia.

Rreth 1.3 milion shtetas jo-britanikë u larguan nga Britania midis korrikut 2019 dhe shtatorit 2020. Kur u bë e qartë se Britania po përballet me mungesa të konsiderueshme të fuqisë punëtore, konservatorët refuzuan që të reagojnë.

Ata e quajtën krizën një “situatë të fabrikuar artificialisht”, duke u përpjekur ta siguronin publikun se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Dhe, duke parë mundësinë e paraqitjes së  neglizhencës së tyre si një dashamirësi ndaj qytetarëve britanikë, ata pretenduan se dështimi i tyre për të vepruar, ishte sepse ata donin që kompanitë të paguanin më shumë punëtorët britanikë, në vend se të mbështeteshin tek krahu i lirë i punës së të huajve.

Por kjo alibi për mosveprimin e konservatorëve nuk është aspak bindëse. Për shembull, në Holandë një ligj i ri ka përmirësuar pagën dhe kushtet e punës për drejtuesit e kamionëve. Në Britani, kushtet e kësaj kategorie punonjësish mbeten ndër më të këqijat në Evropë. Përgjigja e vonuar e qeverisë – ofrimi i 5.000 vizave të përkohshme për shoferët nga vendet e BE-së- është e dobët dhe shumë e vonuar. Në vend të pagave më të larta, publiku britanik ka përjetuar deri më tani vetëm çmime më të larta.

Inflacioni këto kohë është rritur më shpejt se në çdo periudhë që prej vitit 1997, dhe çmimi në rritje i gazit në nivel global po e rëndon më tej jetën e njerëzve, duke e bërë energjinë në Britani më të shtrenjtë se kudo tjetër në Evropë.

Ndërsa qeveritë e tjera, si në Spanjë dhe Itali, kanë vendosur që t’i mbrojnë familjet në vështirësi nga kostot në rritje të jetesës, konservatorët në qeveri nuk kanë ofruar asnjë lloj lehtësie. Tre milionë familje në Britani jetojnë tashmë në “varfërinë e diktuar nga energjie”, duke u detyruar që këtë dimër të zgjedhin midis ngrohjes dhe ushqimit.

Kur konservatorët pritet të miratojnë rritjen e çmimit të energjisë në tetor, ky numër pritet të rritet me gjysmë milioni të tjerë. E megjithatë Boris Johnson pretendon se i ka dhënë konservatorizmit britanik një fytyrë më të mirë. Ai flet me arrogancë për “nivelim” dhe“ndihmën e madhe” për komunitetet më të varfra.

Por sjellja e qeverisë së tij tregon të kundërtën. Më 30 shtator, ai i dha fund një program që i kompensonte njerëzit me deri në 80 pë rqind të të ardhurave të humbura gjatë pandemisë. Dhe më 6 tetor, konservatorët do të shkurtojnë edhe fondin “Universal Credit”, programin gjithëpërfshirës të Britanisë për mirëqenien sociale, duke e lënë me vetëm 20 paund ose 27 dollarë në javë, pikërisht në një kohë kur akoma më shumë njerëz po mbështeten tek ai për të mbijetuar.

Reduktimi më i madh në skemën e mirëqenies sociale në historinë e Britanisë, parashikohet që të shtyjë gjysmë milioni e më shumë njerëz nën kufirin e varfërisë, përfshirë 200.000 fëmijë. (Një fond i sapo-shpallur mbi përballimin e “vështirësive dimërore” me vlerë 500 milionë paund apo 673 milionë dollarë, do të bëjë shumë pak për të zbutur një reduktim me gati 12 herë të fondeve të ndihmës sociale).

Ky kombinim i frikshëm problemesh, nga mungesa e karburantit tek thellimi i varfërisë, është cilësuar nga shumë njerëz si “stuhia e përsosur”. Megjithatë kjo metaforë lë në hije rolin aktiv që kanë luajtur konservatorët – dhe në veçanti, kryeministri Johnson – në krijimin e këtyre problemeve.

Dimri i zymtë që na pret përpara është një përgjegjësi e tyre. Por Johnson nuk ka gjasa që të japë llogari për veprimet e tij të gabuara. Qeveria e tij, e mbështetur tek një shumicë të madhe, mbetet në pozita të sigurta.

Dhe për të, krizat janë gjithnjë një mundësi. Një politikan manovrator si ai, që ndryshon formën sipas rastit, i çliruar nga çdo ndjenjë llogaridhënieje apo ndershmërie, lulëzon pikërisht në kushtet e vështira. Por pjesa tjetër e vendit nuk do të jetë po aq me fat sa ai.

LEXO EDHE:

Back to top button