“E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, MOS MA KUJTO!” Poezi prekëse nga Dritëro Agolli

Çdo poezi e Dritëro Agollit është një perlë. Në këtë artikull ju sjellim një ndër poezitë më të veçanta të tij, “Mos ma kujto”. Autori duket i vendosur kur thotë “Mos ma kujto”, për çdo gjë që nuk duan t’ia kujtojnë. Ashtu si të gjithë ne, as Dritëro Agollit nuk i pëlqen t’i kujtojnë vështirësitë, të shkuarën e hidhur, ngjarjet e vështira të përditshmërisë, apo dështimet e tij. Poezia është si një jehonë që buçet për këdo që “pëlqen” të kujtojë momentet e vështira të të tjerëve.

- Advertisements -

Nuk është aspak e këndshme të të sjellin parasysh një ngjarje që me shpirt do ta harrosh (Një ditë kur pi shumë nga dhimbja, një ngjarje kur dikush të rreh, një dështim, apo një gënjeshtër.). Këtë gjë e shpreh edhe autori, në nerva e sipër (vini re pikëçuditjet në fund të çdo strofe), pasi për të e shkuara është e shkuar dhe duhet hedhur pas krahëve. Për aq kohë sa një moment të vështirë e kalon dhe merr një mësim, nuk ka pse të ta kujtojnë më të tjerët.

“Mos ma kujto”

E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto

për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!

Për shembull, më pe në rrugë të pirë, mos ma kujto,

Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,

Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

Për shembull, pësova diku nje disfatë, mos ma kujto,

Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me netë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,

Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ngrënë e gënjyer, mos ma kujto,

Të prishur, të shthurur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shembull, në shtrat s’u bëra burrë, mos ma kujto,

I turpshëm u drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,

Ka ndrojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto!

LEXO EDHE:

Back to top button