Bruksel: Vuçiqi pranoi marrëveshjen, Kurti jo

Bruksel: Vuçiqi pranoi marrëveshjen, Kurti jo

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

S’ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Kryediplomati i BE-së Borell e ka hedhur përgjegjësinë sidomos te pala kosovare për mosarritje të marrëveshjes. Borell tha se një gjë e tillë lë vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë.

“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot. Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi. Unë u kërkoj të dyja palëve t’i zbatojnë këto dy kërkesa. Kjo do të ofrojë hapësirë dhe kohë për to që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave”, tha Zhozef Borell, Kryediplomat i BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se propozimi i BE-së për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e BE-së “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në propozimin që na e kanë sjellë më herët zotërinjtë kryediplomati i BE-së Borell dhe i dërguari për dialogun Lajçak, për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra, që ne po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecjeje të re, për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti tha se Borrell “ka hequr dorë nga ky afat” dhe nga “propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Unë jam i gatshëm të zhvilloj takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë: marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve, që ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale të natyrave të ndryshme, si puna e këtyre targave. Mirëpo, nuk bën njëra pa tjetrën”, shtoi ai.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Borrell.

“Ai kërkoi që ata të mos shqiptojnë gjoba, e që ne mos të lëshojmë targa të reja KM, për çka ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër. Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë”, tha Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Kosova ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS. Shqiptimi i gjobave prej 150 euro për shoferë që vozisin makina me targa të paligjshme, parashihet të nisë më 22 nëntor. Pas fazës së gjobave, do të nisë shpërndarja e targave provuese, ndërsa nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion do të lejohen vetëm makina me targa RKS./Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button