Brukseli i alokon 3.5 milionë euro Bosnjës për emigrantët

Komisioni Evropian do t’i japë 3.5 milionë euro ndihmë humanitare Bosnjë dhe Herzegovinës, për të ndihmuar emigrantët që jetojnë në kushte “të papranueshme”, pas zjarrit në kamp.

Brukseli tha se fondet do të ndihmojnë emigrantët dhe refugjatët që po përballen me një katastrofë humanitare, duke financuar veshje të ngrohta, batanije, ushqim, kujdes shëndetësor dhe mbështetje psikologjike.

Kampi Lipa u dogj më 23 dhjetor, ndërsa po mbyllej. Ai ishte hapur muaj më parë si një masë e përkohshme pandemike dhe nuk ishte i përshtatshëm për kushtet e vështira të dimrit, pasi nuk ka derdhje të ujërave të zeza, ujë të rrjedhshëm dhe energji elektrike.

900 nga 1400 ish-banorët e kampit duhej të strehoheshin përsëri në qendrat përreth vendit, por u tha që të ktheheshin në kampin e djegur më 30 dhjetor, pavarësisht kushteve të ngrirjes. Për më tepër, rreth 1000 njerëz, përfshirë fëmijët, jetojnë në pyjet pranë kampit.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e përshkroi situatën në Bosnjë dhe Herzegovinë si të papranueshme.

“Strehimet e mbrojtura nga dimri janë një parakusht për kushtet njerëzore të jetesës, të cilat duhet të sigurohen në çdo kohë. Autoritetet lokale duhet të vënë në dispozicion objektet ekzistuese dhe të ofrojnë një zgjidhje të përkohshme derisa kampi Lipa të rindërtohet në një objekt të përhershëm.

Zgjidhjet afatgjata janë urgjentisht të nevojshme. Ne i nxisim autoritetet të mos i lënë njerëzit jashtë në të ftohtë, pa qasje në pajisjet sanitare në mes të një pandemie globale”, shtoi ai.

Më shumë se 5400 refugjatë dhe emigrantë janë akomoduar aktualisht në qendrat e pritjes së përkohshme në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Një pritje e emigrantëve në Bihac, afër kampit Lipa, u mbyll në shtator për shkak të kundërshtimit lokal.

Thirrjet për kushtet në Lipa bëri që autoritetet boshnjake të vendosnin ushtrinë për të ngritur çadra më 1 janar.

LEXO EDHE:

Back to top button