Bujar Osmani nuk do të jetë “kurban”

Bujar Osmani nuk do të jetë "kurban"

Gazetar: Adrian Kerimi

Bujar Osmani i cilëson çmenduri informacionet e dala në media se gjoja emri dhe pozita e tij si ministër i Jashtëm është kërkuar të jetë “kurban” i qërimit të hesapeve brenda taborëve në BDI. Osmani nuk deshi të pretendojë se nga kush kanë buruar informacione të tilla deri në media, por tha shkurt se “çmenduritë nuk meritojnë koment”.

“I pashë ato komente derisa po kthehesha mbrëmë nga Nju Jorku. Janë çmenduri të cilat nuk meritojnë komente”, tha Bujar Osmani, BDI.

Duke komentuar zhvillimet brenda taborëve, Osmani tha se me deklaratën e Ahmetit tregimi i përçarjeve brenda BDI-së ka marr fund. Për shkak të vizitës jashtë vendin, Osmani nuk ishte as në listën e zyrtarëve të pakënaqur as në eventin e të së dielës në Gostivar.

“Mendoj se pas deklaratës së Ali Ahmetit dje, ky tregim ka përfunduar. Nuk mund të shtoj asgjë më shumë se sa çka tha Ahmeti ditë më parë”, shtoi ai.

Një ditë pas ultimatumit nga zyrtarët e BDI-së, kreu i kësaj partie Ali Ahmeti tha se BDI ka ndërtuar struktura të cilat nuk lëkundin themelet e partisë dhe se subjekti mund të funksionon edhe pa të pakënaqurit, duke potencuar emrin e Izet Mexhitit, Blerim Bexhetit, Musa Xhaferit por duke futur edhe vetëm e tij në listën e personave pa të cilët BDI do të mbijetonte.

Të shtunën 20 zyrtarë të BDI-së, duke përfshirë nënkryetarë, kryetar komunash, deputetë dhe anëtarë të ekzekutivit i drejtuan letrën e ultimatumit kreut të BDI-së, Ali Ahmeti duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj kabinetit qeveritar të BDI-së, duke e vendosur theksin tek zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.

Kërkesat e tyre ishin që të thirret debati brenda partisë dhe të krijohen organet e partisë me qëllim ruajtjen e unitetit të partisë. Në letrën e publikuar nga funksionarët e BDI-së u potencua edhe mënyra e funksionimit të ekzekutivit dhe rezultati i dobët zgjedhor në Tetovë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button