Bullgari, asnjëra parti nuk ka fituar votat e nevojshme për të formuar qeveri stabile

Ende pa u bërë zyrtar rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Bullgari, shoumeni dhe kreu i partisë “Ka popull të tillë” Sllavi Trifunov prezantoi anëtarët e kabinetit qeveritar. Partia e tij, në bazë të rezultateve paraprake kryeson lehtë me 23,91% të votave, ndërsa menjëherë pas radhitet partia GERB e ish kryeministrit Bojko Borisov me 23,69% të votave. Në bazë të votave të numëruara, asnjëra nga partitë nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë. Pavarësisht se pritet që partia e Trifunovit të sigurojë vetëm 60 ulëse nga gjithsej 240 në parlament, ai u shpreh i prerë se nuk do të negociojë me asnjë parti.

Ne do të bëjmë përpjekje vet të formojmë qeveri. Do ta marrim mandatin dhe do ta propozojnë në kuvend, qeverinë e re të përbërë nga ekspertë -tha Sllavi Tirfunov, kryetar i “Ka popull të tillë”.

Ndërsa prezantoi programin dhe prioritetet e qeverisë së re, ajo që nxiti reagime në vend ishte deklarata e Trifunovit lidhur me anëtarësimin e Bullgarisë në Agjencinë Hapësinore Evropiane. Ai tha se do të bënte çmos që ekipit bullgar t’i bashkëngjitej edhe një astronaut siç tha ai maqedonoverior.

Do të bëj çmos, të dërgoj një burrë dhe grua të cilët do të jenë astronautët e parë në NASA. Do të bëj çmos që atyre t’i bashkëngjitet edhe një astronaut maqedonoverior. Që të mos shohim poshtë në tokë, nga turpi, por të fillojmë të shikojmë lartë, në drejtim të yjeve – u shpreh Sllavi Tirfunov, kryetar i “Ka popull të tillë”.

Partia e ish ministrit të Mbrojtjes Karakaçanov, e cili gjatë fushatës përdori materiale provokuese ndaj Shkupit, duke e prezantuar Ohrin si bullgar, as në këto zgjedhje nuk e kaloi pragun për të hyrë në parlament. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Bullgari u mbajtën një ditë më parë pasi asnjë parti nuk arriti të formonte qeveri në zgjedhjet e prillit. Rezultatet zyrtare pritet të publikohen të enjten. Pavarësisht pritjeve në Shkup se formim i qeverisë politike në Sofje mund të zhbllokojë procesin eurointegrues të vendit, presidenti bullgar Rumen Radev u shpreh i prerë se zgjidhja nuk varet nga qeveria e re në Bullgari por nga Shkupi Zyrtar.

Semra Musai

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button