Bullgari, Trifonov mbetet pa 8 deputetë

Gazetar: Luka Andreev

Deputetët e partisë “Ka popull të tillë” të Sllavi Trifonovit po largohen nga grupi parlamentar dhe pritet të mbështesin kryeministrin Kirill Petkov, shkruajnë mediat bullgare. Sipas njoftimit, tetë deputetë ia kanë kthyer shpinën Trifonovit. Nga partia e Petkovit konfirmuan se janë duke u zhvilluar bisedime me kolegët nga partia “Ka popull të tillë”, por për momentin mbështetja nuk është e mjaftueshme për të arritur shumicën e nevojshme prej 120 deputetësh pasi mungojnë katër deputetë.

“Tashmë kemi gjetur deputetë. Nuk janë 12, por ne po shkojmë drejt sigurimit të një shumice të plotë”, tha Atanas Mihnev– deputet i “Vazhdojmë me ndryshimin”.

Testi i parë nëse Petkovi ka mbështetjen e nevojshme në Kuvend do të jetë rishikimi i buxhetit, i cili pritet të votohet këtë javë. Pikërisht rishikimi, por edhe çështja e ngritjes së vetos për integrimet evropiane të Maqedonisë ishin dy arsyet pse Slavi Trifonov vendosi të largohet nga koalicioni qeveritar. Ai akuzoi Petkovin për ndjekjen e një politike të jashtme paralele me atë të Ministrisë së Jashtme bullgare dhe ishte gati të hiqte bllokadën ndaj Shkupit.

Ministrja e Jashtme bullgare Teodora Gençovska, e cila ishte një nga katër ministrat e propozuar nga Trifonov, ka dhënë sot dorëheqje zyrtarisht.

“Teodora Gençovska do të vazhdojë të mbajë detyrën deri në zgjedhjen e ministrit të ri të jashtëm”, deklaruan nga MPJ e Bullgarisë

Më pas, kryeministri Petkov do t’i pranojë katër dorëheqjet e ministrave dhe do t’i paraqesë për votim në Kuvend, pas çka do të mund të paraqesë emrat e propozuar për vendet e liruara. Ai ka thënë më parë se ishte gati të drejtonte një qeveri të pakicës pa shumicë në parlament. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button