Bullgaria vendosi veton kundër anëtarësimit të Maqedonisë në BE

Bullgaria vendosi veto për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave me BE, sepse kushtet bullgare në të cilat këmbëngul Sofja, nuk janë përmbushur. Vendimi u bë i ditur nga ministrja e jashtme e Bullgarisë Zaharieva, e cila tha se vendi i saj kërkon respektimin e formulimit të gjuhës në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2017, udhërrëfyes me afate të sakta për zbatimin e marrëveshjes dhe tekst të qartë se pakica maqedonase në Bullgari nuk njihet.

Bullgaria në këtë fazë nuk mund të mbështesë kornizën negociuese me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Propozimi nuk pasqyron kërkesat bullgare dhe nuk mund të mbështetet në formën ekzistuese- deklaroi Ekaterina Zaharieva – Ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Pas mbarimit të këshillit të BE-së, kryesuesi Mihael Rot, konfirmoi se tani nuk është koha për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare, pasi mosmarrëveshjet dypalëshe nuk mund të zgjidhen shpejt.

Nëse keni konflikte dypalëshe që nuk mund të zgjidhen në javët e ardhshme, tani nuk është koha për të filluar konferencën e parë ndërqeveritare. Duam t’i dërgojmë sinjal të vërtetë Ballkanit Perëndimor, Maqedonisë dhe Shqipërisë, ata kanë bërë shumë, kanë arritur shumë, por është një rrugë e gjatë që fillon me negociatat- tha Root. 

Para fillimit të Këshillit të Përgjithshëm të BE-së, Kryetari i Këshillit, Ministri Gjerman për Evropën, Mihael Rot, tha se Maqedonia ka mbështetjen e Berlinit dhe se zgjerimi nuk duhet të jetë peng i çështjeve dypalëshe. Përkundër vetos nga Bullgaria, korniza negociuese për Maqedoninë është ende në agjendën e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, i cili u mbajt online.

Abdrea Çobanova

LEXO EDHE:

Back to top button