Burgim i përjetshëm për ushtarin rus që kreu vrasje në Ukrainë

Burgim i përjetshëm për ushtarin rus që kreu vrasje në Ukrainë

Gazetare: Semra Musai

“Vadim Yevgenevech Shishimarin, i lindur më 17 tetor 2000, është fajtor për kryerjen e veprës penale në bazë të nenit 438 të Kodit Penal të Ukrainës dhe dënohet me burgim të përjetshëm”, deklaroi Serhiy Agafonov, gjykatës.

Gjykata në Kiev dënoi me burgim të përjetshëm 21 vjeçarin rus Vadim Shishimarin, për vrasjen e një civili të paarmatosur në Ukrainë. Ky është gjykimi i parë për krime lufte, nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt. Rreshteri rus pranoi fajësinë për vrasjen e 62 vjeçarit Oleksandër Shelipov. Ai ishte qëlluar me armë zjarri teksa ka qenë duke shëtitur me biçikletën e tij në veriperëndim të rajonit Sumi.

Ukraina akuzon Rusinë për mizori kundër civilëve dhe thotë se ka identifikuar më shumë se 10 000 krime të mundshme lufte. Organizatat për të drejta e njeriut po ashtu kanë mbledhur të dhëna se Moska ka shënjestruar civilët në luftime. Rusia ka mohuar përfshirjen në krime lufte.

Ndërkohë forcat ruse kanë intensifikuar sulmet në pjesën lindore të Ukrainës, tha ushtria ukrainase. Presidenti Zelenski tha se deri në 100 njerëz çdo ditë mund të vdesin në zonën më të vështirë të luftës.

“50 deri në 100 njerëz mund të vdesin çdo ditë në zonën më të vështirë, në pjesën lindore të shtetit tonë. Ata po e mbrojnë shtetin tonë dhe pavarësinë tonë, gjë për të cilën e gjithë bota po flet. Çdo kush e thotë këtë, por ne e ndjejmë atë më së shumti”, deklaroi Vollodimir Zelenski, President i Ukrainës.

Autoritetet lokale të rajonit të Luhanskut thonë se Moska ka tërhequr trupat nga Kharkivi, Mariupoli e madje edhe ato që sapo janë mobilizuar në Siberi, për t’u përqendruar në ofensivën në Donbas.

Luftimet e ashpra në lindje të Ukrainës kanë rezultuar me vdekje të shumta të ushtarëve rusë, ka thënë inteligjenca britanike, duke vlerësuar se në tre muajt e parë të luftës në Ukrainë, Moska është përballur me një shifër viktimash, të ngjashme me atë që ka përjetuar ish-Bashkimi Sovjetik gjatë luftës nëntëvjeçare në Afganistan./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button