Çabi Alonso: Na duhet një performance e plotë, pothuajse perfekte
Të shtunën, në orën 18:30, të gjithë do të shijojnw ndeshjen e parë të madhe të sezonit të Bundesligës mes Bajern Munihut dhe Bajer Leverkuzenit, përkatësisht i pari dhe i dyti në renditjen aktuale. Çabi Alonso, trajneri i Leverkuzenit, e prezantoi ndeshjen në konferencën për shtyp.
“Është një sfidë e rëndësishme, ndoshta më e vështira e sezonit të Bundesligës. Pritshmëritë janë të larta. Ne duam të luajmë mirë, të jemi konkurrues. E dimë se në ‘Allianz Arena’ duhet një paraqitje pothuajse perfekte. Ne kemi një ide të qartë, se çfarë duam me mënyrën tonë të lojës. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën edhe në këtë ndeshje. Bavarezët patën një fillim të mirë të sezonit, luajnë me energji dhe cilësi të madhe, kanë ide të mira. Ndikimi i Vinsent Kompani ka qenë shumë i mirë deri më tani. Pra, na pret një sfidë e madhe. Për të treguar nivelin tonë maksimal duhet përqendrim i madh, në 95 minuta duhet të jemi gati për çdo situatë.
Si mund të zgjidhet problemi i mbrojtjes suaj, e mposhtur vazhdimisht në këtë sezon?
Duke luajtur si ekip, nuk është vetëm një problem i mbrojtësve. Ne duam të qëndrojmë kompakt së bashku, të kuptojmë se kur është koha e duhur për të lëvizur më lart apo më poshtë. Ne gjithashtu duhet të kemi ide të qarta me topin. Na duhet një performanca shumë, shumë e plotë, pothuajse perfekte.
A do të shkonit në ‘Oktoberfest’, pas një fitoreje të mundshme të Bajer Leverkuzenit?
Ne kemi një ndeshje kundër Milanit të martën. Nuk kemi kohë, natyrisht kjo nuk është në mendjen tonë. Do të kthehemi në stërvitje të dielën në mëngjes për t’u përgatitur për ndeshjen e ardhshme. Kemi një javë të rëndësishme përpara, është shumë e rëndësishme për ne.