Çellsi largon 15 lojtarë, mes tyre edhe Armando Broja
Koha e festimeve ka përfunduar te Çellsi. Pas disa blerjeve të rëndësishme të bëra këtë verë klubi londinez do të nisë nga puna për të larguar lojtarët e tepërt. Dhe lista është e gjatë, me të paktën 15 emra. E përditrshmja “The Atletic” ka zbuluar listën e lojtarëve që Çellsi synon të shesë këtë verë. Mundësisht t’i shesë përgjithnjë dhe jo t’i largojë me huazime. I pari në listë është Zhoao Feliks, që është afër një rikthimi te Benfika.
Në listë janë edhe emrat e Ben Çiluellit, Aksel Disasi, Lesli Ugoçukvu, Renato Veiga, Armando Broja, Alfie Gilkrist dhe Rahim Sterling. Këta janë lojtarët që kanë më shumë kërkesa për momentin. Në total, rreth 15 lojtarë pritet të largohen nga klubi londinez. Portali britanik shton se Kristofer Nkunku, një objektiv i kohëve të fundit i Bajern Munihut dhe Man. Junajtedi, gjithashtu nuk do të qëndrojë nën urdhërat e Enzo Mareska.
Ndërkohë, Karnej Çukvuemeka është afër bashkimit me Borusia Dortmund, por gjermanët synojnë një huazim me mundësi blerjeje, ndërsa “blutë” do të preferonin një transferim të përhershëm. Nikolas Xhekson gjithashtu mund të largohet nëse do të mbërrinte një ofertë bindëse. Noni Madueke është afër transferimit tek Arsenali dhe transferimi i tij do të sjellë 60 milionë euro.
Klubi i Tod Boehli planifikon të dërgojë disa lojtarë në huazim te Strasburgu, një nga klubet e tij satelitore. Ishe Samuels-Smit (me vlerë pak më shumë se 9 milionë euro), Kendri Paez, Aaron Anselmino dhe Majk Penders mund të transferohen në Alsaçe.








