Putin nuk do të vijë në samitin e G-20 në Bali

Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në samitin e G20 të javës së ardhshme në Bali, tha ambasada ruse sot për AFP, duke lënë mënjanë pasigurinë në lidhje me planet e liderit të Kremlinit.

“Mund të konfirmoj se (ministri i Jashtëm) Sergej Lavrov do të udhëheqë delegacionin rus në G-20. Programi i Presidentit Putin është ende duke u përcaktuar, ndoshta ai do të marrë pjesë virtualisht”, tha Yulia Tomska, Drejtore e Protokollit në Ambasadën Ruse në Indonezi.

Agjencia ruse e lajmeve RIA raportoi se është e mundur që Putin t’u drejtohet pjesëmarrësve të samitit përmes lidhjes video.

Ky lajm vjen pas muajsh pasigurie në lidhje me ardhjen e presidentit rus në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të G20 që Indonezia pret në datat 15-16 nëntor.

Sergey Lavrov më herët u largua nga takimi i ministrave të jashtëm të G20 në Bali, pas kritikave nga disa kolegë për pushtimin rus të Ukrainës.

Indonezia ishte nën presion të madh nga Perëndimi për të përjashtuar Rusinë nga samiti për shkak të luftës në Ukrainë. Por vendet e Azisë Juglindore zgjodhën një politikë të pavarur nga blloqet e mëdha dhe theksuan se vendi pritës duhet të jetë neutral.

Presidenti indonezian Joko Widodo tha në gusht se Vladimir Putin e kishte pranuar ftesën e tij në samit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyi, vendi i të cilit nuk është anëtar i G-20, është ftuar gjithashtu në takim dhe mund të flasë përmes lidhjes video. Zelensky paralajmëroi javën e kaluar se ai nuk do të merrte pjesë në samit nëse Putini ishte i pranishëm.

Indonezia ka konfirmuar ardhjen e 17 liderëve, duke përfshirë presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin amerikan Joe Biden.

Samiti po zhvillohet në kontekstin e disa krizave – lufta në Ukrainë, shqetësimet për ekonominë botërore për shkak të inflacionit afatgjatë dhe pasojat e ndryshimeve klimatike.

LEXO EDHE:

Back to top button