Çka dihet deri tash për vrasjen te “Mavrovasja” – Një person ende në arrati

Çka dihet deri tash për vrasjen te “Mavrovasja” – Një person ende në arrati

Gazetare: Linda Ebibi

Një vrasje, ende në rrethana të mistershme, tronditi në orët e para të ditës qendrën Mavrovasja. Një plumb në trup ka lënë të shtrirë në tokë Vasil Eftimov, menaxher i firmës Mitel Mont, për shitje me shumicë të materialeve për ujësjellës e kanalizime, përfaqësues i autorizuar i Haële, shkruan Alsat.

Ai ka qenë me makinën e tij të firmës, me targa 7977 AK, kur një person i është afruar dhe i ka drejtuar pistoletën, duke e lënë fillimisht të plagosur, me plagë që brenda minutave i ka marrë edhe jetën.

Vrasësi, sipas dëshmitarëve okularë ka hapur me të shpejt bagazhin e makinës së viktimës duke marrë prej aty një laptop, dhe është larguar me të shpejtë me një makinë citroen me targa belge.

Bashkëshortja e viktimës mbërrin gjithashtu brenda minutave në vendngjarje, paraqet rastin, por ndihma e shpejtë vetëm se konstatoi vdekjen.

Policia vendosi bllokada dhe kontroll të rrugëve në ndjekje të automjetit të vrasësve, përfshi edhe një audi të zi, paraprakisht i paraqitur pa targa, dhe ndërkohë, një helikopter dhe dron nisi krehjen nga sipër të rrugës dhe ndjekjen e automjeteve, të cilat nuk kursyen as shkëmbimin e zjarrit, me plumba, kundrejt automjetit të forcave speciale të policisë që ishin vënë në ndjekje.

Në vendin ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit në tokë ishte edhe pistoleta me të cilën pretendohet se vrasësit kanë kryer veprën penale.

Njëra prej makinave e markës Citroen, u bllokua në lagje, ndërsa Audi u braktis në parkun e Gazi Babës.

“Prapa meje ndodhet vetura e policisë, e cila ka bllokuar rrugën që çon deri tek njëra makinë, që është gjetur në malin e Gazi Babës dhe që supozohet se ka qenë e përfshirë ne vrasjen tek Mavrovasja”, raporton gazetarja e Alsat, Linda Ebibi.

Dy persona u vunë në pranga, sipas njoftimit zyrtar të policisë, dhe sipas informatave një person tjetër është ende në arrati.

“Policia ka marrë menjëherë masat operativo-taktike, duke mbyllur një pjesë të zonës së qytetit, duke kontrolluar disa banesa dhe kontrolluar disa automjete, ku përfshiheshin forca speciale të policisë, helikopterë dhe dronë. Në zonën e komunës së Çairit, është vërejtur një veturë e udhëtarëve, e cila ka tentuar të largohet, ndërsa personat nga automjeti kanë bërë rezistencë me përdorimin e armëve të zjarrit. Punonjësit e policisë janë kundërpërgjigjur, pas së cilës një person është privuar nga liria. Gjatë masave të mëtejshme është privuar nga liria edhe një person, ndërsa policia e di edhe identitetin e të dyshuarit të tretë i cili ndodhet në arrati dhe për të cilin po merren masa për gjetjen e tij”, thuhet në raportin e Policisë.

Për vrasjen e Vasil Eftimov, ende nuk dihen motivet dhe rëndësia e materialeve që vrasësit kanë marrë nga makina e tij, megjithatë nga burime të Alsat, mësohet se vrasësit janë persona me precedentë penale, edhe për një përplasje me armë në të kaluarën në lagjen e Jahja Pashës./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button