Edhe në veturat e sigurimit ka pasur dasmorë – LSDM me detaje të tjera për Gashin në dasmë
Edhe në veturat e sigurimit ka pasur dasmorë – LSDM me detaje të tjera për Gashin në dasmë
Gazetare: Fatlume Dervishi
LSDM-ja zbardhi sot të dhëna të reja dhe e akuzojnë kreun e Kuvendit Afrim Gashi për shkelje të tjera që lidhen me radhitjen e tij me grupin e dasmorëve në kufirin e Bllacës.
Sipas tyre, përveç që Gashi ka shfrytëzuar veturën zyrtare për arsye private dhe ka nënçmuar shtetin duke u bërë pjesë e kolonës së dasmorëve, janë bërë edhe shkelje të tjera.
LSDM-ja thotë se për shkak të Gashit, asnjë nga dasmorët nuk është kontrolluar në kufi dhe se edhe në veturat e sigurimit zyrtar të Gashit, ka pasur dasmorë.
“Kolona, përpara se ta kalojë kufirin ka qenë e parkuar në një pikë karburanti në afërsi të kufirit. Më pas, të gjitha veturat bashkë, përfshirë edhe veturat private kanë kaluar në linjën për kamionë, gjegjësisht për mjete të rënda, pa u ndaluar. Që skandali të jetë edhe më i madh, në veturat ku kanë qenë sigurimi i Gashit, ka pasur edhe dasmorë, gjegjësisht persona privat, gjë që është ligjërisht e ndaluar. Kjo nënkupton se vendkalimi në Bllacë është privatizuar tërësisht për nevojat e Gashit, me “aminin” e VMRO-së dhe me nëpunësit përgjegjës”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Nga partia e Filipçes kërkojnë përgjegjësi edhe nga ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski për këtë rast.
Për akuzat e tyre reagoi koalicioni VLEN. Sipas VLEN-it, LSDM-ja drejton zemërimin për rezultatin zgjedhor në adresë të gabuar dhe kujtojnë skandale të mëhershme që lidhen me krerët dhe funksionarët e LSDM-së.
“Para se të mbajnë konferenca për shtyp, qëllimi i të cilave është të largojnë vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme partiake, i bëjmë thirrje LSDM-së të përgjigjet: Pse nuk reaguan në të njëjtën mënyrë kur Zoran Zaev dhe Venko Filipçe vozitën motoçikleta jashtë kufijve të Maqedonisë së Veriut, të shoqëruar nga sigurimi shtetëror? A ishte atëherë kjo për ta etike dhe sipas protokollit të sigurisë, apo një sjellje skandaloze, siç pretendojnë tani? Afrim Gashi me familjen e tij e ka kaluar kufirin në mënyrë të rregullt dhe ai kurrë nuk ka kaluar ndonjë pikë kufitare në këmbë, si disa të tjerë!”, thonë nga VLEN.
Vetura zyrtare e kreut të Kuvendit, e shoqëruar nga veturat e sigurimit, u pa ditë më parë në një video e rreshtuar me vetura të tjera dasmorësh në kufirin me Kosovën në Bllacë. Nga kabineti i Gashit nuk mohuan pamjet por thanë se gjatë këtij udhëtimi të Gashit me familjen janë respektuar të gjitha procedurat./ Alsat.mk