Çka ndodhi sot në Kuvend – Xhaferi thotë se shpallja e zgjedhjeve të reja varet prej tij

Çka ndodhi sot në Kuvend - Xhaferi thotë se shpallja e zgjedhjeve të reja varet prej tij

Gazetar: Lluka Andreev

Sjellja e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi ishte në fokusin e seancës së sotme për pyetje deputetësh, shkruan Alsat.

Deputetët e opozitës kërkuan kryeministri Kovaçevski menjëherë t’i shpallë zgjedhjet sepse siç shprehen, kriza në vend po rritet pas çdo nënçmimi nga ana e partnerëve të tij të koalicionit.

“Kjo që po ndodh s’është normale. Sepse nuk keni guxim të dilni si njeri dhe të thoni- dënoj kur dikush i shan punonjësit, dënoj kur dikush i mbyll dyert e Kuvendit sikur të jemi te ai në shtëpi. Nuk keni guxim sepse e dini që, nëse e bëni këtë, këta njerëz do të dalin nga Qeveria dhe ju do të dilni në opozitë”, tha Bojan Stojanovski- deputet i VMRO DPMNE-së.

Por, në vend të përgjigjes nga kryeministri, reagoi personalisht Xhaferi. Ai porositi se në dorën e tij është kompetenca për shpalljen e zgjedhjeve.

“Keni procedurë adekuate parlamentare, dorëzoni propozim për shpërndarje të Kuvendit, dhe paraprakisht të bëni edhe procedura tjera nga Marrëveshja e Përzhinës, dhe të vini deri te shpallja e zgjedhjeve, që është kompetencë e kryetarit të Kuvendit dhe e askujt tjetër. Eh, kjo ju dhemb”, u shpreh Talat Xhaferi – kryetar i Kuvendit.

Në mbledhje, deputetët e VMRO-DPMNE-së pyetën deri ku është tenderi i blerjes për sëmundjet e rralla.

“Po të ishte ndonjë tender i TEC-it apo i ndonjë institucioni tjetër, ku mund të merrej paradhënie, ose të vidhen para, 100 herë do të shpallej”, theksoi Bojan Stojanovski – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Opozita akuzoi se pushteti tenton të bëjë import paralel të ilaçeve. Ndaj kësaj kryeministri u përgjigj:

“Importin paralel të ilaçeve e ka vendosur VMRO-DPMNE, që tani ju e kritikoni, ndërsa Qeveria e LSDM-së e anuloi. Kështu që ju duhet të thoni faleminderit që e anuluat importin paralel të ilaçeve”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kovaçevski siguroi se për sëmundjet e rralla do të ketë terapi në kohë. Ndryshe, pas një periudhe më të gjatë deputetët sot mbajtën seancë në sallën e vjetër dhe mësuan si të përdorin pajisjet e reja për konferenca, të cilat Kuvendi i bleu për gjysmë milioni euro./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button