Çmime të reja të derivateve, pas mesnatës qytetarët paguajnë më shumë për dizel e benzinë

Gazetare: Ajnur Bafqari

Shtrenjtohen çmimet e derivateve. Sipas vendimit të Komisionit Rregullatorë për Energjetikë, nga mesnata, qytetarët do të paguajnë 2,5 denarë më shumë për një litër dizel, ndërsa 1 denarë më shumë për një litër benzinë.

Çmimi me pakicë i benzinës Eurosuper BS-95 arrin në 85,5 denarë për litër, ndërsa Eurosuper BS-98 gjithashtu shtrenjtohet për 1 denarë dhe do të shitet me 87,5 denarë për litër. Rritja më e madhe është regjistruar te dizeli (Eurodizel D-E V), çmimi i së cilës me aplikimin e rritjes prej 2,5 denarësh, shkon në 82,5 denarë për litër.

  • EUROSUPER BS-9585,5 denarë/litër
  • EUROSUPER BS-9887,5 denarë/litër
  • EURODIZEL (D-E V)82,5 denarë/litër

Edhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) shtrenjtohet për 2 denarë, me çmimin e ri prej 81,50 denarë për litër. Ndryshe nga derivatet e tjera, mazuti M-1 NS pëson ulje prej 0,265 denarë për kilogram, duke u shitur me 41,2 denarë për kilogram.

Nga KRRE bëjnë të ditur se korrigjimi i ri i çmimeve është rezultat i lëvizjeve në tregjet ndërkombëtare dhe kursit të këmbimit të denarit ndaj dollarit amerikan.

Opozita ka akuzuar vazhdimisht pushtetin që nuk ka arritur të mbrojë qytetarët nga rritja e çmimit të derivateve kurse qeveria vazhdon të pretendojë se vendi ka çmimet më të ulëta të derivateve në rajon. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button