Çmimet në Shkup, si në metropolet evropiane, ndër më të shtrenjtat në rajon?

Çmimet në Shkup, si në metropolet evropiane, ndër më të shtrenjtat në rajon?

Gazetar: Adnan Qaili

Koha me diell, sidomos mesditave në pauza është ideale për kafe. Por, pirja e kafesë në Shkup është bërë luks. Qytetarët nuk është se heqin dorë nga varësia e kamotshme, por ankohen se të porositësh në lokalet e gastronomisë nuk u del llogaria. Në qendër të kryeqytetit një espresso është 90 denarë, po e shoqërove me ujë të ambalazhuar atëherë duhet të paguash 110 denarë. Një pije e gazuar 150 denarë, lëngu i portokallit 180 denarë, por mos të përmendur çmimet e ushqimeve. Ky djalosh kishte nevojë edhe për ca denarë shtesë për të mbyllur llogarinë që ishte e lartë në për xhepin mesatar.

“Nëse doni të pini një kafe në qendër të Shkupit, atëherë ju bie sikur keni pirë në një nga metropolet e Evropës. Jo me pamje apo cilësi por vetëm me çmime. Për shembull, sot në rrugën Maqedonia, në njërën nga më të frekuentuarat në vend, për katër persona kafetë na kushtuan 720 denarë (12)”

Nga komuniteti i këtij biznesi të shërbimeve thonë se pas pandemisë çmimet janë rritur duke ndjekur kostot e tjera, si qiraja, pagesa punëtorëve, produktet, transporti i artikujve dhe energjia elektrike. Oda e pavarur e gastronomëve gjykon se jo çdo kush duhet të kaloj kohën e lirë në kafe, por sipas mentalitetit ballkanik ndejat në lokacionet më të frekuentuara rrisin edhe shpenzimet. Josifovski nga kjo Odë tha se ka njerëz që me një espresso e “uzurpon” hapësirën e lokalit për orë të tëra duke iu shfrytëzuar resurset.

 “Kafeja nuk është patjetër të pihet tri herë në ditë. Unë do të thosha se shumë lirë është kafeja të pihet në objekt të gastronomisë në raport me kohën që shpenzohet nga një klient në vendin që zë dhe koston që neve na kushton përgjatë periudhës që ai rri aty. Nuk mund të themi se çmimet aktuale të pijeve dhe ushqimeve në kryeqytet dhe pikat tjera turistike që janë shumë të shtrenjta. E vërteta është se ato janë përshtatur me kostot e rritura dhe ofertës që ta bëjë të qëndrueshëm biznesin gastronomik. Madje vlerësoj se çmimet duhet të rritën akoma më shumë,” tha Zdravko Josifovski, Oda e pavarur e gastronomëve.

Sipas platformës Numbero, kostoja e jetesës në Shkup kap indeksin 38, që në krahasim me kryeqytetet e Ballkanit është ndër më të shtrenjtat, por në disavantazh sa i përket të ardhurave mesatare të qytetarëve. Shpenzimet mujore për një familje prej katër anëtarësh janë 108.342 denarë pa përfshirë qiranë, kurse për një person të vetëm janë 31,826 denarë, thonë vlerësimet e kësaj platforme, e cila përveç tjerash mat edhe cilësinë e jetesës dhe tregon se në Maqedoni 1/3 e të ardhurave e shpenzojnë për ushqim. / alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button