Ligji për shpronësim përplas deputetët, VMRO: Pushteti merr të drejtën mbi pronat private

Ligji për shpronësim përplas deputetët, VMRO: Pushteti merr të drejtën mbi pronat private

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ndryshimet në ligjin për shpronësim që lidhen me ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10D përplasën përsëri deputetët në Kuvend. Opozita beson se ndryshimet ligjore i japin të drejtë pushtetit të bëjë çfarë të dojë me pronat private.

“Me nenin 8 ndalon e drejta mbi pronën e personit privat ose e komunave. Pushteti përqendrohet tërësisht pikërisht tek njerëzit që aspak nuk e kanë merituar dhe nuk e kanë marrë besimin në zgjedhje. Pushteti sillet në mënyrë të papërgjegjshme, që për fat të keq, mbulohet nga shumica parlamentare e cila nuk mblodhi forca ta kundërshtojë pushtetin qendror…”, deklaroi Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Sipas ministrit Fatmir Besimi, kushtet e shpronësimit të pronave gjatë këtyre ndërtimeve mbesin të njëjta megjithatë ndryshimet e reja parashikojnë kompensim të përkohshëm dhe zhvendosje nga objektet deri sa të kryhet procedura e shpronësimit. Ndryshimet do të vlejnë për të gjitha projektet tjera në të ardhmen.

“Thelbi i ndryshimeve është mbrojtja e të drejtave të qytetarëve, të drejtave të pronës dhe të drejtës për të banuar, për projektet të cilat sipas Kushtetutës bien në kategorinë me interes publik. Mundësohet precizim të të drejtës së qytetarëve, gjë e cila ekziston me ligj. Bëhet fjalë vetëm për kompensim vetëm kur duhet të lëshojnë objektet e tyre dhe të banojnë diku deri sa të gjejnë hapësira tjera banimi, ose nëse bëhet fjalë për veprimtari, deri sa të gjejnë objekt ku do ta kryejnë veprimtarinë”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Opozita thotë se me ndërtimin e pjesëve të këtyre dy korridoreve, anashkalohet pjesa lindore e vendit kurse pushteti këtë e quan nxitje dhe mashtrim.
“Është fakt se pjesën më të madhe të këtij krimi do ta paguajnë qytetarët maqedonas sepse janë më shumë me përqindje. Këtu nuk mundem që të mos e përmend edhe atë që ndodh në pjesën lindore të shtetit. Mundem lirisht të them se qytetarët atje jetojnë në kushte të mjerueshme, katastrofale, infrastruktura lokale është tërësisht e shkatërruar, rrugët nuk janë riparuar prej kur janë ndërtuar”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

“Të gjithë qytetarët tanë pavarësisht në cilën pjesë të Maqedonisë jetojnë, meritojnë kushte solide për jetë. E dimë se infrastrukturë më e mirë rrugore nënkupton ekonomi më të mirë dhe zhvillim më të mirë të shoqërisë tonë. Unë nuk vij nga Maqedonia lindore si ju por e di se edhe në atë pjesë, qeveria e drejtuar nga LSDM-ja nga viti 2017 ka realizuar disa projekte infrastrukturore”, u shpreh Lidija Tasevska, LSDM.

Në Komisionin për Çështje Evropian në rend pas propozim ndryshimeve në ligjin për shpronësim mbetet vetëm edhe Ligji për konfirmimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për ndërtimin e autostradave. Që të pesë ligjet, pas miratimit në komision, kalojnë në seancë plenare. Votimi për to do të bëhet njëkohësisht kur të ketë përfunduar diskutimi për të gjitha. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button