COVID-19, shtetet evropiane sërish në alarm – ALSAT-M


Rritja e numrit të rasteve të reja me virus korona ka alarmuar shtete evropiane, të cilat kanë filluar me rikthimin gradual të masave kufizuese, pas lehtësimit të të tyre për një periudhë të shkurtër.
Autoritetet greke sollën vendim që testimi në aeroporte dhe në pikat kufitare tokësore të jetë i detyrueshëm për të gjithë pasagjerët. Nga 17 gushti, baret, klubet dhe restorantet nuk mund të punojnë pas mesnatës. Lehtësimi i masave kishte filluar në fund të prillit. Deri tani në Greqi janë infektuar mbi 7222 persona, 230 prej të cilëve kanë ndërruar jetë.

Të paktën tre rajone në Itali kërkojnë test të detyrueshëm dhe kanë rikthyer karantinën 14 ditore për banorët që kthehen nga pushimet nga “vendet me rrezik të lartë”. Klubet e natës dhe vendet e kërcimit mbeten të mbyllura. Lehtësimi i masave në Itali filloi në maj. Deri tani Italia regjistron mbi 35 mijë vdekje nga virusi korona, ndërsa numri i të infektuarve është mbi 250 mijë.
Gjermania ka shtuar kontrrollet kufitare pas shtimit të rasteve të reja. Në aeroportet e Gjermanisë testimi është i detyrueshëm. Qytetarët që vijnë nga disa rajone të Bullgarisë, Rumania dhe shteti Viktoria i Australisë, duhet të kenë test negativ, përndryshe vendosen në karantinë. Gjermania nisi me lehtësimin e masave kufizuese në muajin prill, me hapjen e dyqaneve të vogla dhe pak më vonë u rihapën edhe shkollat. Që nga fillimi i pandemisë Gjermania ka regjistrua mbi 220 mijë të infektuar, dhe mbi 9 mijë të vdekur.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Spanjë janë raportuar gjithsej 1833 të infektuar të rinj. Rajonet spanjolle kanë zbatuar kufizime të reja për frenimin e virusit, duke përfshirë mbylljen e klubeve të natës, si dhe detyrimin e mbylljes së kafeneve dhe restoranteve para orës 1 të mesnatës. Qindra protestues u mblodhën ditën e dielë në kryeqytetin Spanjoll, Madrid për të kundërshtuar përdorimin e detyrueshëm të maskave. Deri tani mbi 28 mijë qytetarë spanjoll kanë ndërruar jetë.
Franca, shtet në të cilin numri i viktimave nga virusikorona ka arritur në mbi 30 mijë dhe i të infektuarve në rreth 220 mijë ka ndaluar grumbullimin e më shumë personave. Franca paralajmëroi karantinë 14 ditore për qytetarët që hynë nga Mbretëria e Bashkuar. Ky shtet filloi lehtësimin e masave më 11 maj.
Pothuajse të gjitha shtetet e lartpërmendura kanë bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave. Në nivel botërorë numri i të infektuarve arriti në mbi 22 milion, i të vdekurve në mbi 770 mijë, ndërsa i të shëruarve në rreth 15 milion.

Përgatiti: Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button