Daja: Ndeshje e vështirë, por nuk kemi ardhur të dorëzuar
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është shprehur optimist para lojës së nesërme me Astanën, e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Trajneri shqiptar është i vetëdijshëm se ekipin kosovar e pret një punë e vështirë, duke e pasur parasysh se e humbi lojën e parë në Prishtinë.
“Nëse e marrim krahasimin, Astana ka më shumë eksperiencë se ne në garat evropiane. Ka më shumë ndeshje ndërkombëtare se ne. Ne jemi për herë të dytë që marrim pjesë në garat evropiane. Në udhëtim e kemi më të vështirë, pasi Astana ka në favor klimën dhe mbështetjen e publikut. Prandaj presim ndeshje të vështirë, por nuk kemi ardhur të dorëzuar. Përtej vështirësive edhe ne do të kërkojmë maksimumin në këtë ndeshje edhe të rezultatit”, deklaroi Daja.
“Sigurisht ne na pëlqen të jemi fitues, por është ndeshje e vështirë. Astana ka ekip goxha të mirë, si në aspektin fizik, ashtu edhe taktik. Por nuk mund të jap përqindje ai që do ta fitojë ndeshjen, sepse futbolli është një sport jo shkencë ekzakte dhe unë përgatis ekipin tim për t’u futur në fushë për ta fituar ndeshjen”, vazhdoi tutje Daja, i cili e shpalli dy herë Ballkanin kampion të Kosovës.