“Data varet nga qeveria e re bullgare”, Rama: Vendet e BE-së negociojnë me Bullgarinë

Fati i hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në është në duart e qeverisë së re bullgare e cila pritet të formohet. Kryeministri shqiptar Edi Rama tha për mediat gjatë vizitës në Romë se Italia, Franca dhe Holanda po negociojnë me Bullgarinë që kjo të ndodhë. Ndërkohë kryeministri italian Mario Dragi e përjashtoi si opsion ndarjen e dy vendeve në rrugën e integrimit. E ardhmja e të dy vendeve do të shqyrtohet në samitin e ardhshëm të BE-së në mes të muajit dhjetor.
“Ne i kemi bërë detyrat tona jo për BE por për veten tonë. Çdo çast ne jemi të gatshëm për tu ulur në tryezë. Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut është një proces i vështirë, ka pasur zgjedhje në Bullgari dhe do shohim pozicionin që do mbajë qeveria e re bullgare dhe parlamenti bullgar. Dhe do të shohim deri ku do arrijë efekti i të gjitha presioneve që janë bërë në nivele të ndryshme në lidhje me Bullgarinë. Nuk është vetëm Italia që shtyn por janë dhe Franca dhe Holanda që janë në vijë të parë në këtë përpjekje për të bindur Bullgarinë që të heqë veton e saj”, deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor është një proces që i sheh vendet të gjitha së bashku. Duhet të konsiderojmë se edhe integrimi i Maqedonisë së Veriut është i rëndësishëm. Cilët janë hapat që do të bëjë Italia sot? Është herët për ta thënë, do kapërcehen dora-dorës. Jam optimist. Zgjerimi i parë i BE për shumë vende që tani konsiderohen si partnerë të rëndësishëm është bërë për shumë vite, vërtet. Është diçka që bëhet duke ju përgjigjur çështjeve të politikës së jashtme, çështjeve të lidhura me emigracionin apo ngjarjet ndërkombëtare. Është strategji afatgjatë që përkufizon identitetin e BE”, tha Mario Dragi, kryeministër i Italisë./ Alsat.mk