De Laurentis zbulon synimin e Napolit dhe fatin e Osimhenit
Presidenti i Napoli, Aurelio De Laurentiis, gjatë prezantimit të trajnerit të ri të kampionëve të Italisë, Rudi Garcia, ka folur për objektivin kryesor të skuadrës së tij. Pasi fitoi titullin kampion në Serie A, presidenti napoletan kërkon që skuadra të triumfojë edhe në Ligën e Kampionëve.
“Titulli kampion do të shërbejë si një pikënisje për të ardhmen. Duam të mbrojmë titullin dhe të shkojmë në finalen e Ligës së Kampionëve. Nuk e mohoj, që dua të jem në finalen e Europës, pasi ai mbetet objektivi ynë i radhës”, u shpreh De Laurentiis.
Më pas, presidenti i Napolit foli edhe për të ardhmen e sulmuesit nigerian Viktor Osimhen, i kërkuar nga mjaft ekipe të mëdha në Europë.
“Ai do të largohet vetëm në rast se vijnë oferta të parezistueshme. Ai ka një kontratë deri në vitin 2025 me ne, pra do të qëndrojë këtu edhe dy vitet e ardhshme. Jo vetëm kaq, por ne synojmë që t’ia rinovojmë atë edhe me dy vite të tjera”, tha presidenti i Napoli.
Sezonin e fundit, Osimhen realizopi 26 gola në kampion, në sezonin e tij të tretë në Serie A.







