Debat i ashpër në Kuvend për propozim-ligjin për lojërat e fatit
Gazetar: Angell Dimovski
Opozita dhe pushteti, gjatë debatit të ashpër në Kuvend për ligjin për lojërat e fatit, polemizuan rreth asaj se kush në të kaluarën e kishte propozuar dhe mbështetur ligjin, si dhe kush e kishte bllokuar atë.
Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, deklaroi se e njëjta zgjidhje ligjore ishte propozuar nga ata në të kaluarën, por ishte bllokuar nga pushteti i atëhershëm. Ai shtoi se masa për largësinë prej 500 metrave të kazinove nga institucionet arsimore nuk është e mjaftueshme.
“Do të ishte më mirë të miratohej një zgjidhje ligjore sipas së cilës kazinotë do të mbylleshin plotësisht në vendbanime dhe do të vendoseshin jashtë tyre. Në këtë mënyrë do të kufizoheshin kategoritë dhe personat që, sipas meje, janë më të rrezikuarit. Një aspekt tjetër që mendoj se është kontradiktor është çështja e reklamimit. Thonë se do ta ndalojmë reklamimin kudo që popullata e përgjithshme të mos ketë qasje te kazinotë, sepse ato janë të dëmshme, ndërsa në të njëjtën kohë do të financojmë kategoritë e reja në sport, ku do të lejohet ekspozimi i markave të lojërave të fatit, kazinove dhe të tjerave. Mendoj se kjo është paksa kontradiktore“, deklaroi Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së.
Sipas deputetit të Aleancës për Shqiptarët Rijad Shaqiri, ligji i propozuar është më shumë i fokusuar në funksionimin, veprimtarinë dhe metodologjinë e kompanive sesa në mënyrën se si shteti do të ndërmarrë masa të përshtatshme.
“Dihet se ne si shtet, në njëfarë forme, jemi ndoshta shtet me shumë kazino. Nëse krahasohemi, as në Las Vegas nuk ka aq kazino, e as në Zvicër. Nuk ka as në qendrat më të urbanizuara të botës. Në rrugën nga Bllaca drejt Shkupit ka së paku katër ose pesë kazino funksionale, ndërsa në drejtim të Gjevgjelisë po ashtu ka një numër të madh të tyre. Do të ishte mirë që ne si shtet të mendojmë dhe të vendosim një standard të jashtëzakonshëm, i cili do ta rregullojë funksionimin e tyre edhe në përputhje me rregulloret e Bashkimit Europian“, tha Rijad Shaqiri, deputet i Aleancës për Shqiptarët.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së tha se ishte i habitur nga sjellja e opozitës dhe se ligji përmban shumë ndryshime.
“Në ligjin e mëparshëm, të cilin e propozuan qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, së bashku me disa satelitë rreth tyre që herë bashkoheshin e herë largoheshin, ekzistonte një model i paracaktuar se kush duhej të merrte licenca për organizimin e lojërave të fatit. A i kujtohet dikujt se në Kuvend kishte interpretim autentik, i cili ende nuk ishte miratuar, ndërsa në Gazetën Zyrtare tashmë ishte shpallur konkursi se kush duhej të merrte ose jo licencë për organizimin e lojërave të fatit? Ose nuk ju kujtohet, ose nuk duhet të flasim për këtë“, theksoi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.
Ligji parashikon ndalim të pothuajse të gjitha formave të reklamimit, ndërsa përjashtim do të bëhet vetëm për sponsorizimet e ngjarjeve sportive. Gjithashtu, vendoset largësi minimale prej 500 metrave ndërmjet objekteve të lojërave të fatit dhe shkollave fillore e të mesme, si dhe kritere të reja për strukturat drejtuese me qëllim parandalimin e pastrimit të parave.
Ndryshimet parashikojnë gjurmim të detyrueshëm me GPS të të gjitha aparateve dhe terminaleve të lojërave të fatit, të lidhura me Drejtorinë e të Ardhurave Publike, detyrime mujore më të larta, garanci bankare dhe kompensime për hapësira të reja afariste. Për më tepër, kufizohet numri i licencave që mund të marrë një shoqëri tregtare, në varësi të lartësisë së kapitalit bazë./Alsat.mk.








