Debat i ashpër në Kuvendin e Kosovës për propozimin e BE-së dhe Asociacionin
Debat i ashpër në Kuvendin e Kosovës për propozimin e BE-së dhe Asociacionin

Gazetar: Shkelzen Aqifi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se propozimi i BE-së nuk është marrëveshje finale, por është një kornizë apo një marrëveshje bazike, jo përfundimtare. Këto komente i bëri gjatë seancës së Kuvendit ës, ku në pyetjet parlamentare, deputetët opozitarë kritikuan Kurtin për mostransparencë lidhur propozimin e BE-së.
“Është e vërtetë se ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, sërish është veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje ligjërisht e obligueshme, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na nevojitet neve. Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Kurti tha se beteja tjetër është që në kuadër të propozimit, neni i 10-të i cili i referohet marrëveshjeve të mëhershme me një insistim të nxirret gati në preambulë, që është e papranueshme për Kosovën.
“Beogradi po bën betejën ndoshta më të madhe që këtë nenin 10 përkatësisht fjalinë e fundit të tij ta nxjerr në preambulë në mënyrë që Asociacioni i nënshkruar para 10 vjetëve të jetë parakusht ose në qendër, por ai për neve nuk është i pranueshëm as si parakusht as në qendër dhe për këtë propozimi europian është shumë në favorin tonë meqenëse Asociacionin nuk e ka as parakusht as në qendër”, u shpreh Albin Kuri, Kryeministër i Kosovës.
Kreu i PDK-së Memli Krasniqi akuzoi kryeministrin Kurti se dëshiron të fshihet prapa opozitës, derisa e pyeti atë se a e kanë frikësuar Lajçak apo Escobar që nuk po raporton para të zgjedhurve të popullit për këtë propozim.
“Pse nuk po ia sjellë Kuvendit këtë dokument, pse nuk po sjell krejt dokumentin në Kuvend, qoftë me dyer të hapura apo të mbyllura, por vërtet të kesh një iniciativë. Pse po fshihesh prapë pas opozitës, pse po frikësohesh, apo të ka frikësuar Escobari e Lajçaku, ata nuk janë më të rëndësishëm se qytetarët e tua që të kanë dhënë votën”, tha Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së.
“Ti nuk po tregon se çka po bëhet por e ke pranuar një dokument. Je i paqartë për rrugën që duhet ndjekur përpara, por e ke pranuar dokumentin në pranim. Si mund të pranosh marrëveshje që nuk është finale dhe nuk e ka njohjen në të”, u shpreh Lumnir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.
Ndërkaq, sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se në propozimin franko-gjerman nuk është as parakusht e as në qendër.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është Zajednicë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, por duke iu falemnderu Qeverisë me mua në krye nuk po zbatohet, sa për juve moti ishte krye ajo. Kur po jep deklarime Eskobari po thotë për një njeri nuk ndalet Asociacioni, çaj është momenti kur ju duhet me dalë me thanë kryeministri nuk është vet, por ju nuk dilni, ju heshtni”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Kryetari i AAK-së Ramush Hardinaj, tha se nuk duhet vënë faj Kurtin për Asociacionin. Kërkoi nga Kurti që ta pranojë propozimin e BE-së
“Për mua dhe AAK-në është i pranueshëm propozimi franko -gjerman. I kërkoj kësaj qeverie, pranoje dhe mos u vono”, theksoi Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.
Kryeministri Kurti më 6 shkurt ka thënë se e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike. /Alsat.mk