Debat në Komisionin kuvendor për autostradat, Stojanovski: Ndërtimi, bazë për korrupsion
Debat në Komisionin kuvendor për autostradat, Stojanovski: Ndërtimi, bazë për korrupsion

Gazetare: Fatlume Dervishi
Pushteti nuk pranoi që Korridori 8 dhe 10D të ndërtohen me zgjidhjet aktuale ligjore sa i takon marrjes së koncesionit për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale. Ata hodhën poshtë amendamentin e VMRO-DPMNE-së në Komisionin për Çështje ekonomike.
“Zgjedhjet aktuale ligjore japin përgjigje për situatat e mundshme siç thoni ju për ndërtim më të shpejtë. Në fund të fundit, më e shpejta nuk është as dëshmi se është më cilësore. Kurse ne kemi një projekt strategjik për të cilin duhet të krenohen gjeneratat e ardhshme nga i cili duhet të dalin benefite dhe jo kokëdhimbje e dëme”, tha Toni Jareski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Me propozimin e pushtetit, anashkalohet procedura aktuale për zgjedhjen e koncesionerit për lëndët e para minerale me tender. Procedura do të kalojë përmes institucioneve kompetente, ministrisë dhe Komisionit të krijuar për këtë qëllim, në qeveri.
“Unë nuk mund ta kuptoj partinë opozitare VMRO-DPMNE, pse kaq me ngulm dëshiron që kushtimisht të prolongojë formën dhe mënyrën e ndërtimit të këtij Korridori kur e dimë se është një korridor me interes shtetëror kurse për mua se deputet i BDI-së dhe si shqiptar është edhe projekt kombëtar”, u shpreh Bedri Fazli, BDI.
Për VMRO-DPMNE-në, kalimi i të gjitha procedurave përmes formës më të lehtë, është urë për korrupsion.
“D.m.th. ministër i BDI-së, i propozuar nga komitet menaxhues i cili drejtohet nga kuadër i BDI-së, në bazë të ligjit të propozuar nga deputetë të BDI-së. Nëse ky nuk është korrupsion atëherë nuk e di çka është korrupsioni”, deklaroi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.
Në komisionet përkatëse vazhdon debati për miratimin e propozim-ndryshimeve ligjore për 8 ligje për lehtësimin e procedurave të ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10D. /Alsat.mk