Debutoi me Ancelottin, sot është një 32-vjeçar i pastrehë

Debutoi me Ancelottin, sot është një 32-vjeçar i pastrehë

Jacob Mellis nisi karrierën e tij në futbollin elitar para 13 vitesh dhe këtë gjë e bëri me një ekip të madh anglez si Chelsea. Madje, ai arriti të debutonte në Champions League me “Blutë” e Londrës. Sot, ai është një 32-vjeçar i pastrehë.

Pa shtëpi dhe pa punë, dy vitet e fundit i ka kaluar duke i kërkuar ndihmë familjarëve dhe miqve, të cilët i kanë hapur derën e shtëpisë.

Për “Daily Mail”, ish-futbollisti anglez rrëfeu se si përfundoi në këtë gjendje: “Çdo ditë mendoj se ku do të kaloj natën. Miqtë më gjejnë ndonjë hotel ose ndonjë vend ku të fle. Nuk e mendoja kurrë se do të përfundoja kështu”.

Vitin e kaluar, Mellis la futbollin pas një dëmtimi të rëndë në gju, kur luante me Southend United, në National League (kategoria e pestë).

Kur ishte 16 vjeç, ai u bashkua me Chelsea. Me këtë ekip ai debutoi në Champions, nën drejtimin e Carlo Ancelotti (23 nëntor 2010), por jo në Premier League. Por, alkooli e largoi nga suksesi në karrierë.

“Kur pi, e humb kontrollin. Alkooli dhe jeta e natës ishin gjërat që më shkatërruan. Kur isha 19 vjeç, mbaj mend që shkova i dehur në stërvitje. David Luiz më pyeti menjëherë nëse kisha pirë, pasi vija era alkool. Më vendosën si kujdestar Ashley Cole, por isha shumë arrogant atëherë. Kulmi ishte kur bëra çmendurinë më të madhe që mund të bëja. Në vitin 2012, kur isha pjesë e ekipit të dytë të Chelsea, hodha një tymuese në dhomat e zhveshjes. U bë e madhe, erdhën zjarrfikësit dhe e gjithë qendra stërvitore u evakuua. Njoftuan direkt Roman Abramovichin dhe më përjashtoi nga ekipi”, tregon Mellis.

Pas kësaj aventure, Mellis kaloi në ekipe si Barnsley, Blackpool, Oldham, Bury, Bolton, Gillingham dhe Southend. Aktualisht, po kërkon të futet në një qendër rehabilitimi për të lënë alkoolin. Pasi të dezintoksikohet, ai mendon t’i kthehet futbollit.

“Chelsea më ka ndihmuar që të marr nivelet e para të kursit të trajnerit. Shikoj futboll çdo ditë dhe mendoj se mund t’i ndihmoj të rinjtë që t’i largohen rrugës së keqe”, thekson Jacob Mellis.

LEXO EDHE:

Back to top button