Dëme të mëdha nga përmbytjet në Tetovë

Dëme të mëdha nga përmbytjet në Tetovë

Gazetar: Mefail Ismaili

Dëme të shumta nga vërshimet e një dite më parë në Tetovë. Fshati Gjermë u godit më së shumti. Disa familje mbetën pa kulm në kokë. Kreu i Tetovës Bilall Kasami tha se janë riparuar dëmet në disa zona dhe se po ndërmarrin masa për të parandaluar përmbytjet e reja të mundshme. Kasami kërkoi ndihmë nga Qeveria për dëmshpërblimin e banorëve.

“Fshati Gjermë në komunën e Tetovës ka mbetur më i dëmtuari nga reshjet e mbrëmshme të shiut, rrëshqitjet e mëdha të dheut kanë bllokuar disa automjete, kanë dëmtuar tërësisht një shtëpi dhe kanë bllokuar një rrugë të fshatit”, raporton Mefail Ismaili, gazetar.
Banorët e fshatit Gjermë thonë se për një kohë të gjatë alarmojnë autoritetet që të ndërtojnë një mur mbrojtës rreth përroit nga i cili gjithmonë vijnë reshje të mëdha, i cili këtë herë mbuloi disa automjete dhe dëmtoi shtëpinë e familjes Nafi Fejzulit, i cili është edhe me invaliditet.

“Këtu shtëpia u dëmtua krejt, edhe themelin e shtëpisë e ka nxjerrë krejt uji, siç e shihni. Unë atëherë ika prej brenda, që të gjej çare, jashtë…krejt brenda është i mbushur me ujë, podrumi, hajati, muret lartë kanë plasur, dyert as hapen e as mbyllen…”, u shpreh Nafi Fejzuli, banor i Gjermës.

“Kjo na ka ndodhur shpesh herë, atë vit që u bë në Shipkovicë u bë e njëjta edhe këtu. Por duhet të ndërtohet një mur që të na mbroje mos na hyjë uji nëpër shtëpi për mbrojtje”, tha Ruhan Adaili, kryetar i BL në fsh. Gjermë.

“Unë veturat këtu i kam lënë, nuk e dija, ka pasur shumë reshje të mëdha dhe mi ka zënë të dy veturat siç e shihni”, tha një banor i fshatit Gjermë.

“Rruga është e dëmtuar siç e shihni vetë, këto tubat që kalon rruga janë të bllokuara”, theksi një tjetër banor i fshatit Gjermë.

Dëme nga vërshimet ka edhe në qytetin e Tetovës. Dhjetëra bodrume shtëpish, dyqane dhe objekte të tjera u përmbyten. Kryetari Komunës së Tetovës Bilall Kasami, thotë se autoritetet komunale kanë dalë në terren dhe kanë pastruar disa nga rrugët e përmbytura si dhe lagjen Drenovec. Ai tha se kanë marrë masa, për të parandaluar përmbytjet nga vërshimet e radhës.

“Për shkak se është paralajmëruar që përsëri në orët e pasditës mund të ketë vërshime apo prurje të re të shiut, ne vendosëm që pikat kritike të lumenjve siç janë në Poroj dhe Reçicë të vogël të pastrohen dhe të jenë në mbikëqyrje permanente, prurjet nëpër rrugët e qytetit të pastrohen, nga Drejtoria për Mbrojtje dhe shpëtim dhe nga institucionet tjera është intervenuar në disa pika kritike siç është rasti në Gjermë. Na informuan se uji për pije është i pijshëm”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Kasami tha se Komuna aspak nuk ka marrë mbështetje nga Qeveria edhe pse pas vërshimeve tre muaj më parë, kanë kërkuar që të shpallet gjendje krize dhe të bëhet vlerësimi për dëmshpërblimin e qytetarëve.
“Kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme dhe për vlerësim është mbivotuar dhe nuk kemi përgjigje. Qëllimin duhet vetë ta tregojë Qeveria se a kanë mundësi financiare ose nuk kanë, ose qëllimi është mos i dilet në krah qytetarëve të Tetovës”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Nga vërshimet e mbrëmshme janë strehuar përkohësisht dy familje me gjithsej dhjetë anëtar të cilët i kanë pasur plotësisht të dëmtuara shtëpitë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button