Demokratët kërkojnë shkarkimin e Trump, vetëm 12 ditë para përfundimit të mandatit

Presidenti në largim, Donald Tramp u distancua nga hyrja e dhunshme në Kongresin amerikan të 6 janarit. Përmes një prononcimi nga Shtëpia e Bardhë, Tramp u zmbraps nga këmbëngulja e deritanishme se kurrë nuk do ta pranonte fitoren e Bajdenit. Për herë të parë, pas më shumë se dy muajsh, Tramp pranoi se do ta lëshojë pushtetin siç tha, për një administratë të re, pa e përmendur aspak pasardhësin e tij Bajden.

“Kongresi certifikoi rezultatet. Një administratë e re do të inaugurohet më 20 janar. Fokusi im tani do të jetë tranzicioni i qetë, i rregullt dhe i pandërprerë i pushtetit. Ky moment na bën thirrje për shërim dhe pajtim.”-tha Donald Trump, President në largim i SHBA-ve .

Ky prononcim vjen pas thirrjeve të shtuara të demokratëve për shkarkim të parakohshëm të Trampit nga posti presidencial, përmes zbatimit të amendamentit 25 të Kushtetutës amerikane, me të cilën pushteti nga Tramp mund t’i kalojë nënpresidentit, Majk Pens. Madje demokratët paralajmërojnë se nëse Pens nuk e aktivizon amendamentin kushtetues, ata gjithsesi do ta shkarkojnë Trampin përmes impiçmentit.

“Kur zbatoni amendamentin 25 të Kushtetutës, do t’i bëhet thirrje zv/presidentit, që shpresojmë të bëhet, të marrë udhëheqësinë dhe me shumicë të kabinetit të ketë mundësinë ta shkarkojë Presidentin e Shteteve të Bashkuara, një njeri shumë të rrezikshëm, i cili nuk duhet të vazhdojë të qëndrojë në detyrë. Kjo është urgjencë e magnitutës më të lartë!”-pohoi Nensi Pelosi, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve.

Përderisa disa republikanë refuzojnë shkarkimin e bashkëpartiakut të tyre vetëm 12 ditë para skadimit të rregulltë të mandatit presidencial, disa të tjerë, mes të cilëve edhe kongresmeni, Kinzinger, i janë bashkëngjitur thirrjeve për shkarkim. Ndërkohë anëtarë të administratës së Trampit dhanë dorëheqje, në mesin e të cilëve: sekretarja e Transportit, Elaine Chao, Sekretarja e Arsimit, Betsy DeVos dhe ish-shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Mick Mulvaneyt.

“E vërteta është se Presidenti e shkaktoi këtë. Presidenti nuk është i përshtatshëm dhe nuk është i mirë. Presidenti duhet tani ta lëshojë pushtetin vullnetarisht ose pa dëshirën e tij.”-tha Adam Kinzinger, Kongresmen republikan.

Dhuna e mbështetësve të Trampit në Kongres ka marrë pesë jetë njerëzish, përfshirë edhe një polic , ndërsa u lënduan mbi 50 oficerë të tjerë policie. Organet e rendit kanë arrestuar dhjetëra persona, shumicën për hyrje të paligjshme në Kongres.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button