Në pritje të vaksinave kundër Covid-19, vendi po fiton imunitet natyror?

Autoritetet shëndetësore ende nuk e dinë se cilat doza të vaksinave kundër Covid-19 do të arrijnë të parat në vend, nga gjithsej tre forma furnizimi. Disa janë porositur për t’u blerë e disa janë premtuar si donacione. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe flet vetëm për periudhën e përafërt se kur pritet të vijnë kontingjentet e para na vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe përmes mekanizmit Covax u konfirmuan që porosia e parë e vaksinave anti kovid do të arrijnë në fund të janarit ose fillim të shkurtit. Ministri Filipçe tha se gjatë vitit 2021 autoritetet planifikojnë arritjen e imunitetit kolektiv kundër Covid-19 përmes vaksinimit të 1 milion e 200 mijë qytetarëve në vend.

- Advertisment -

Përmes tre mekanizmave me nga 800 mijë doza për 400 mijë qytetarë, që do të thotë 1 milion e 200 mijë qytetarë, që paraqet rreth 60 për qind të popullatës. Këto janë parashikimet aktuale për arritjen e imunitetit kolektiv. 833 mijë doza përmes Covax mekanizmit, 800 mijë doza përmes kontratës direkte me Pfizer dhe 800 mijë doza tjera për çka tashmë kemi aplikuar dhe kemi marrë mbështetje nga Zyra e Bashkimit Evropian, për çka do të ketë edhe ndihmë financiare-grant nga BE, që do të sigurohen nga përqindja e vendeve të BE-së”-tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë .

Raportet e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se aktualisht në të gjitha repartet infektive spitalore dhe kovid qendrat e vendit janë të hospitalizuar 818 pacientë, nderka të lirë ka rreth 400 shtretër.

Ndërkaq, në 24 orët e fundit për shkak të komplikimeve të shkaktuara nga virusi korona në kurim spitalor në Shkup u shtruan 18 pacientë. Në qytetet tjera, kanë rënë shifrat e të hospitalizuarve.

Ministria e Shëndetësisë:

Në Kumanovë 71 pacientë

Në Prilep 55 pacientë

Në Ohër 50 pacientë

Në Strumicë dhe Shtip nga 45 pacientë

Në Strugë dhe Manastir nga 30 pacientë

Në Veles 29 pacientë

Në Kavadar 22 pacientë

Në Tetovë dhe Gostivar nga 19 pacientë

Në Koçan 18 pacientë

Në Kërçovë 12 pacientë

Në Gjevgjeli dhe Dibër nga 10 pacientë

Në pritje të vaksinës anti kovid si duket do të arrijmë imunitetin kolektiv në mënyrë të natyrshme. Shifrat tregojnë se në tetë ditët e para të vitit numri i të shëruarve është tri herë më i lartë se i atyre të infektuar. Prej mbi 85,500 të prekurve që nga fillimi i pandemisë, aktualisht mbi 16,700 janë raste aktive. Përderisa mbi 2,580 pacientë nuk i mbijetuan virusit korona, numri i të shëruarve ka arritur në mbi 66,200 pacientë.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button