Dënime të ulëta për përdhunimin e 15-vjeçares
Dënime të ulëta për përdhunimin e 15-vjeçares
Gazetar: Mihajllo Donev
Gjyqtarja Daniela Dimovska dha gjithsej 33 vjet burg për 11 persona të dënuar për abuzim seksual dhe përgatitje të materialit pornografik me të mitur. Personat e dënuar janë të moshës nga 20 deri në 32 vjeç. Sipas aktakuzës, pesë janë akuzuar për trafikim të fëmijëve, gjashtë për sulm seksual dhe përdhunim, dhe një është dënuar për filmimin e pornografisë. Dënimi më i lartë i dhënë sot është 5 vjet e gjashtë muaj burg. Të tjerët morën 4 vjet burg.
“Gjykata pranon plotësisht pjesën operative të aktakuzës dhe deklaron fajtorë të pandehurit. Pjesa operative nuk do të bëhet publike me qëllim mbrojtjen e të dhënave të fëmijës viktimë, që ka qenë 15 vjeç kur ka ndodhur ngjarja”, tha Daniela Dimovska, gjyqtare.
Avokatët e të dënuarve janë të pakënaqur me aktvendimin.
“Gjyqtari i gjykimit deklaroi se kam dhënë alibi ku i pandehuri ka qenë në kohën dhe vendin gjatë kryerjes së veprës penale. Pra, një njeri nuk mund të jetë në Shkup edhe në Veles, dhe për këtë arsye ne do të përdorim të gjitha mjetet juridike të mundshme nga fillimi i shqiptimit të aktvendimit, deri në të gjitha shkallët e mundshme në fund të ditës për të provuar se personin që e përfaqësoj nuk është fajtor”, u shpreh Sasho Dukovski avokat.
“Ne e diskredituam jetën e saj gjatë gjithë kohës, personalitetin, sepse ishte një element shumë i rëndësishëm për ne”, u shpreh Dushko Jankoviq, avokat.
Avokatja e vajzës së mitur nuk doli para publikut për të thënë nëse do të apelonte vendimin duke pasur parasysh masën e dënimeve. Gjyqi filloi vitin e kaluar dhe publiku u përjashtua prej tij për të mbrojtur vajzën. I dyshuari kryesor është një 25-vjeçar nga Velesi, i cili nga fundi i dhjetorit 2021 dhe gjatë vitit 2022, duke përdorur kërcënime ndaj viktimës fëmijë, lejoi të dyshuarit e tjerë dhe personat e tjerë të panjohur të kryenin veprime seksuale me viktimën. /Alsat.mk