Deputetët me certifikatë presin marrëveshjen për Korridoret, opozita nuk cakton seancat e komisioneve

Deputetët me certifikatë presin marrëveshjen për Korridoret, opozita nuk cakton seancat e komisioneve

Gazetare: Fatlume Dervishi

Deputetët me certifikatë sigurie nuk e kanë parë akoma marrëveshjen mes shtetit dhe Behtel-Enkës për ndërtimin e autostradave të Korridorit 8 dhe 10D, edhe pse ditë më parë qeveria u premtoi qasje. Deputetët presin që marrëveshja t’u prezantohet nga Komiteti për ndërtimin e korridoreve. Ndërkohë gjashtë nga tetë ligjet në procedurë parlamentare që kanë të bëjnë me lehtësimin e procedurave për ndërtimin e këtyre autostradave presin të vendosen në rend dite në komisione që drejtohen nga deputetët të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, Bojan Stojanovski, Vllado Misajllovski dhe Lupço Dimovski. Alsat pyeti grupin parlamentar të VMRO-DPMNE-së nëse do thirren këto seanca por deri në këto momente nuk ka përgjigje prej tyre. Partia e Hristijan Mickoskit bllokimin e ligjeve në komisione e sheh si mundësi për të penguar miratimin e tyre për shkak se është kundër ndryshimeve të propozuara, si pasojë e dyshimeve për keqpërdorime eventuale. Mickoski thotë se janë kundër që shtimit orëve të punës nga 40 në 60 orë në javë, kundër marrëveshjes që parasheh penale prej 200 milion euro, janë kundër projektit pa leje ndërtimi, janë kundër çmimeve dy deri tre herë më të larta të materialeve ndërtimore për këtë projekt.

“Ne si VMRO-DPMNE nuk jemi kundër asnjë projekti i cili përfshin ndonjë grup të caktuar që e ka për qëllim, ndonjë grup etnik, hapësirë gjeografike në Maqedoni, dhe as nuk jemi kundër ndërtimit të pjesëve të Korridoreve 10D dhe 8, të cilët janë edhe në programin e VMRO-DPMNE-së. Jemi kundër krimit të pranishëm në këtë projekt. Ka një mënyrë të dëshmojnë se vërtetë shqetësohen për Maqedoninë, për ekonominë dhe për qytetarët, të njëjtat kushte që kanë firmosur, t’ua japin kompanive maqedonase”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Deri tani dritë jeshile në komisionin parlamentar ka marrë vetëm ligji për lëndët e para minerale kurse ligji për marrëdhënie pune që parashikon zgjatjen e orarit javor të punës nga 40 në 60 orë është bllokuar me mijëra amendamente.
Gjithsej, shumica ka propozuar tetë ndryshime ligjore të cilat do të mundësojnë procedura më të lehta dhe më të shpejta administrative për ndërtimin e autostradave. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button