Deputetët miratuan buxhetin e vitit të ardhshëm

Buxheti për vitin 2021, i cili dje u miratua në Parlament, për herë të parë ka kornizë afatmesme, ose planifikime të projekteve më të gjata se një vit. Gjëja e dytë që ekspertët e theksojnë janë parashikimet mbi të cilat është ndërtuar buxheti. Që ekonomia deri në vitin e ardhshëm të rritet mbi katër për qind, aq sa është projektuar buxheti, është e nevojshme që qytetarët të fitojnë imunitet kolektiv përmes procesit të vaksinimit, në mënyrë që aktiviteti ekonomik të jetë në “këmbë të shëndosha”, thotë për Alsat profesori Marjan Petreski.

https://www.youtube.com/watch?v=ThArx-ub73o&feature=youtu.be

Për momentin, të gjithë aktorët që merren me projeksione parashikojnë normë të rritjes së PBV-së për vitin e ardhshëm që do të jetë midis katër dhe pesë përqind. Por më lejoni të theksoj se kjo bazohet në një supozim kryesor e ajo është se do të shohim stabilizim të aktivitetit ekonomik dhe fillim të një kthimi në normalitet duke filluar nga tremujori i dytë, për të arritur stabilizim të plotë të ekonomisë në fillim të vitit 2022 – deklaroi Marjan Petreski – profesor universitar.

Nga LSDM-ja thonë se opozita e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja dje nuk arriti ta bllokojë sjelljen e buxhetit për vitin e ardhshëm. Social Demokratët thonë se janë miratuar 18 amendamente, të propozuara nga opozita.

Me Buxhetin për 2021, stimulojmë investime të reja, mbështetje për kompanitë ekzistuese, si dhe ndihmojmë në krijimin e vendeve të reja të punës, me çka inkurajojmë konkurrencën dhe ndikojmë në uljen e nivelit të papunësisë – u shpreh Jovan Mitreski LSDM.

Opozitarja VMRO-DPMNE mbetet e mendimit se projeksioni për arkën e shtetit në vitin 2021 është voluminoz dhe joreal. Sipas tyre, paratë e qytetarëve shpenzohen në mënyrë joproduktive dhe në projekte të pazhvilluara.

Nëse e imagjinojmë buxhetin si 1000 denarë, Qeveria prej tij jep 127 denarë për pagat e administratës publike. 86 denarë për blerjen e mallrave dhe shërbimeve të ndryshme, 656 denarë për të gjitha transferimet e kryera nga Qeveria, 38 denarë për kamata dhe vetëm 23 denarë shkojnë për investime kapitale -theksoi Gordana Dimitrievska Koçovska – VMRO-DPMNE.

Qeveria ka në plan të mbledhë rreth tre miliardë e gjysmë euro vitin e ardhshëm, por në të njëjtën kohë të shpenzojë 4.1 miliardë. Deficiti buxhetor parashikohet në nivel prej gati pesë përqind.

Ile Petreski

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button