Deputeti gjerman ishte sot në Shkup, detajet nga takimet e tij
Deputeti gjerman ishte sot në Shkup, detajet nga takimet e tij

Gazetare: Fatlume Dervishi
BE-ja e ka për detyrë të jenë më e pranishme në vend kurse Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë edhe detyrimin e ardhshëm në procesin e anëtarësimit në BE, shkruan Alsat.
Kjo ishte porosia e kreut të Komisionit për politikë të jashtme në Bundestagun gjerman, Mihajl Rot gjatë vizitës në Shkup.
“Shpresoj se tani në parlamentin e Maqedonisë së Veriut do të mund të krijohen parakushte që të mund të vazhdohet angazhimi në negociatat e anëtarësimit. E di se për shumicën nuk është e lehtë kur bëhet fjalë për këto ndryshime kushtetuese por secili duhet ta bëjë pyetjen, jo si mundem unë t’i ndihmoj partisë time por si mundem unë ta ndihmoj dhe të kontribuoj për vendin tim. E di se politikanët në vend tani duhet të vazhdojnë më tej me hapat demokratik, ta përforcojnë demokracinë, të vazhdojnë me luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, të krijojnë vende pune por para së gjithash edhe BE-ja tani duhet ta kthejë besimin i cili është humbur dhe të mos mbesin vetëm premtimet boshe”, tha Mihajl Rot, kryetar i Komisionit për politikë të Jashtme në Bundestag, Gjermani.
Ai shtoi se BE-ja duhet të sigurojë mbështetje për vendin edhe në këtë periudhë të krizës ekonomike. Rot takoi në Shkup Presidentin e shtetit Stevo Pendarovski.
“Në takimin me Rot shpreha falënderim që eurointegrimi ynë është prioritet i lartë në agjendën e politikës së jashtme të Gjermanisë e cila është fuqi lëvizëse e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe njëri nga partnerët tanë më të afërt dhe më të sigurt në 30 vitet e kaluara”, thonë nga Presidenca.
Vizitën e Rot dhe mbështetjen e Gjermanisë e konsideroi të rëndësishme edhe kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, me të cilin po ashtu pati takim.
“Nga ana e Kryetarit Xhaferi u përshëndet kjo vizitë në çastin kur vendi duhet të fillojë me procesin e skriningut si fazë e parë nga fillimi i negociatave të anëtarësimit në BE, pas një periudhe të gjatë të ngecjes dhe bllokadës në dekadat e kaluara”, thonë nga Kuvendi.
Homologu i tij, kreu i Komisionit për politikë të jashtme Antonio Milloshoski, i tha deputetit gjerman në takim se VMRO-DPMNE-ja nuk i voton ndryshimet kushtetuese.
“… shpreha keqardhje që BE-ja nuk arriti ta ndalojë revizionizmin agresiv të Bullgarisë për vetërëndësinë dhe etnogjenezën e popullit maqedonas. E shfrytëzova mundësinë ta përsëris qëndrimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së se jemi kundër shantazheve të Bullgarisë për ndryshimin e Kushtetutës…”, u shpreh Antonio Milloshoski, kryetar i Komisionit për politikë të jashtme.
Rot me të arritur në Shkup dhe para se të fillonte takimet shkroi në tëitter se shpresa është çelësi dhe se maqedonishtja është një gjuhë në Evropën e diversitetit kulturor. / Alsat.mk