Derbi në “Old Traford”, “Djajtë e Kuq” sfidojnë “Qytetarët”

Në “Old Traford“, duke nisur nga ora 16:30 luhet derbi i Mançesterit, ai mes Man. Junajtedit dhe Man. Sitit. “Djajtë e Kuq” edhe pse pa shumë shkëlqim, kanë fituar dy ndeshjet e fundit në kampionat. Fitoret bëhen tre radhazi nëse llogarisim edhe Ligën e Kampionëve me të besuarit e trajnerit Erik ten Hag që kanë nisur sërish të “marrin frymë lirisht”.
Nga ana tjetër, Man. Siti njeh edhe hapa fals këtë sezon, teksa u rikthyen te rruga e fitoreve pasi mposhtën Brajtonin në javën e fundit, para kësaj të besuarit e trajnerit Pep Guardiola kishin koleksionuar dy humbje radhazi. Ndalesat nuk lejohen më për “Qytetarët”, pasi Arsenali dhe Totenhami fituan ndeshjet e tyre dhe janë gati për t’u “arratisur”. Gjithsesi, një derbi nuk ka favorit dhe është një ndeshje që i ka të treja rezultatet.
Në sezonin e fundit, Man. Junajtedi arriti ta mposht Man. Sitin në “Old Trafford” pasi goli i Grilishit u përmbys nga Bruno Fernandes dhe Markus Rashford. Në pesë ndeshjet e fundit që janë luajtur në “Old Trafford”, bilanci është në baraspeshë, teksa secila prej skuadrave ka nga dy fitore dhe një ndeshje tjetër që ka përfunduar në barazim pa gola.