Deri në fund të javës, grupi parlamentar i VLEN-it për koordinator do të këtë Bekim Qokun

Deri në fund të javës, grupi parlamentar i VLEN-it për koordinator do të këtë Bekim Qokun

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Koalicioni VLEN këtë javë pritet të bëhet me grup të ri parlamentar me koordinator Bekim Qokun. Këtë e konfirmoi vet Qoku mbrëmë në intervistë për Alsat, i cili shprehet se vullneti i tyre është që të vazhdojnë përsëri me 14 deputetë.

“Është bërë vetëm kërkesë që të ndërrohet koordinatori i grupit parlamentar, në vend të z.Snopçe, jam propozuar në kryesinë e fundit, e para dhe e fundit që ndodhi tani të VLEN-it, bile s’kam qenë as i pranishëm aty sepse kishim votim në Parlament, më kanë propozuar të jem koordinator i ri i grupit parlamentar”, tha Bekim Qoku – Koordinator i koalicionit VLEN.

Pra po thoni ju formalisht, do të jeni koordinator i grupit parlamentar prej 14 deputetëve.

Prej 14 deputetëve deri tani zyrtarisht. Pastaj në qoftë se ato pesë deputetët e Aleancës mendojnë që nuk e kanë vendin këtu, ato do e zgjedhin vet rrugën e tyre por një herë për njëherë edhe këtu para jush, u bëj ftesë që të vazhdojmë si grup parlamentar, ne kemi të njëjtën betejë, ndajmë të njëjtat bindje ende. Unë jam i sigurtë që ata vazhdojnë të ndajnë të njëjtat bindje politike.

Një veprim i tillë nuk është mirëpritur nga deputetët e ASH-së së Taravarit. Halil Snopçe thotë se koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it jam unë. Nëse formohet grup i ri parlamentar nga VLEN, atëherë edhe ASH-ja do të shkojë me grup në vete.

“Koordinator i grupit parlamentar “VLEN” me 14 deputetë jam unë. Kjo është e vërteta. Në qoftë se ata dorëzojnë kërkesë për grup të ri parlamentar prej nëntë deputetësh, me automatizëm deputetët e Aleancës për Shqiptarët do të jenë të obliguar të formojnë grup të vet parlamentar. Por për momentin, e vërteta edhe një herë po e përsëris, unë jam koordinator i grupit parlamentar me 14 deputetë. Çka do të bëjnë ata nuk e di se shumë gjëra janë deklaruar, mish mash është bërë, jemi bërë si ato serialet spanjolle”, deklaroi Halil Snopçe – ASH.

Marrë parasysh se Qoku u bëri ftesë edhe deputetëve të ASH-së të vazhdojnë rrugën bashkë, Snopçe thotë se ata veprojnë në përputhje me vendimet e kryesisë së partisë.

“Mund të ketë mendime individuale, ne jemi parti demokratike. Fundja jemi shtet demokratik ku secili mund të shprehë mendimet individuale të tija por në fakt çfarë do qoftë vendimi të merr Aleanca për Shqiptarët nuk ka asnjë problem me pesë deputetët”, u shpreh Halil Snopçe – ASH.

Si nga VLEN ashtu edhe nga VMRO-DPMNE, vazhdimisht theksojnë se jo të gjithë pesë deputetët e Aleancës për Shqiptarët duan të shkëputen nga shumica parlamentare, gjegjësisht se, duan të vazhdojnë me VLEN-in. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button