Dëshmitari: Më ka ardhur marre me i tregua mjekut që më ka rrahur UÇK-ja

Po vazhdon në Hagë gjykimi i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ku dëshmitari i parë kundër tij ka thënë se ka pasur probleme shëndetësore, por kur është mjekuar në spital nuk ka treguar që dëmet i ka si pasojë e rrahjes.

Avokati Julius Von Bone ka pyetur dëshmitarin lidhur me një dokument mjekësor, ku një pjesë ka qenë e redaktuar dhe nuk është dhënë për publikun.

Avokati Von Bone: A është e vërtetë se ke shkuar, ke qenë në këtë klinikë universitare dhe ajo që lexova këtu a është e saktë?

Dëshmitari: Me thënë të drejtën mua në atë kohë më ka ardhur marre me shkua të mjeku me thënë më ka rreh UÇK-ja, por kam thënë jam i sëmurë, çka kam nuk e di.

Avokati Von Bone: Pse të vinë marre, a e njihje mjekun, a kishe ndonjë arsye pse të vinte marre?

Dëshmitari: Marre edhe këtu që po e përmend që më ka rreh UÇK-ja e lere më të mjeku. Nuk është mirë me më rreh, nuk u kanë mirë.

Avokati Von Bone: Nuk është mirë me e gënjye doktorin, a po pajtohesh me mua që nuk është mirë me gënjye doktorin. Pra, pse ti një njëri që ishe viktimë që të kishin rrah të vinte turp nga një mjek spitali.

Dëshmitari: Nuk e di ndoshta unë budalla, më ka ardhur marrë kam thënë ashtu. Nuk e kam mësua mjekun, ai më ka bërë operacion, a e di, unë nuk e di qysh e tek.

Avokati Von Bone: Ke shkua prapë të ai mjek, më vonë a i ke tregu çka të ka ndodh?

Dëshmitari: Jo nuk i tregova, nuk pata nevojë. Ai më ka vet çka ke, unë i thash nuk e di çka kam, ai më ka bërë operacion, unë nuk e di.

Gjatë kësaj seance, avokati ka bërë të ditur se në dokumentin mjekësor është thënë se dëshmitari ka pasur ankesa të ndryshme lidhur me pagjumësinë për një periudhë një vjeçare.

Dëshmitari: Kam pasur problem me kokë dhimbje gjithmonë.

Avokati Von Bone: Si ka mundësi që mjeku apo kush ka shkruar këtu, vetëm një periudhë një vjeçares jo më shumë.

Dëshmitari: Po se atëherë ka filluar me më dhimb koka.

Në këtë seancë avokati mbrojtës ka pyetur dëshmitarin edhe rreth kërkesës së tij për dëmshpërblim nga gjykata, por një pyetje të tillë e ka kundërshtuar gjykatësja.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka thënë se pyetje të tilla nuk do të lejohen.

“Sa i takon pyetjes suaj avokat mbrojtës pyetja juaj ishte ‘çfarë lloj dëmshpërblimi kërkon’. Këtë lloj pyetje nuk do ta lejojmë”, ka thënë Mappie Veldt-Foglia

Në këtë seancë mbrojtja ka përfunduar pyetjet e rregullta për dëshmitarin e parë ndërsa seanca po vazhdon me pyetje shtesë nga prokurori.

LEXO EDHE:

Back to top button