Dështoi përpjekja e dytë për zgjedhjet e kreut të ri të Këshillit Gjyqësor

Dështoi përpjekja e dytë për zgjedhjet e kreut të ri të Këshillit Gjyqësor

Gazetar: Ardit Ramadani

Pa paralajmërim, pa treguar arsyen dhe datën e seancës së radhës dështoi përpjekja e dytë për zgjedhjen e kreut të ri të Këshillit Gjyqësor, një javë pasi në mënyrë kontestuese u shkarkua Vesna Dameva nga posti i saj, me arsyetimin e prishjes së marrëdhënieve ndër njerëzore.

“Këshilli Gjyqësor në Maqedoninë e Veriut njofton se seanca e 439-të e cila ishte caktuar për më 02.05.202 (e Martë) në ora 11:00 anulohet. Për ditën e mbajtjes së seancës do të ju njoftojmë përmes një kumtese tjetër”, njoftojnë nga Këshilli Gjyqësor.

De-fakto Këshilli Gjyqësor aktualisht është i ndarë në dy taborë. Shtatë anëtarët që me iniciativë të zëvendës kryetarit, Selim Ademi, votuan shkarkimin e Damevës tash dukshëm e kanë të vështirë të gjejnë një të tetë, aq sa kërkon ligji për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Për dallim nga hera e parë kur nuk kishte shumicë, kësaj radhe, Ademi me kolegët as nuk tentuan të fillojnë seancën për të caktuar datë për seancë të re. Kështu, duke shtuar dyshimet për pazare dhe ndikime të mundshme politike në Këshillin Gjyqësor.

Në kohën kur sytë e gjithë opinionit publik janë të kthyera nga ky institucion, zëvendës-kryetari Ademi nuk përgjigjet këto pyetje të ALSAT.

Pyetjet drejtuar zëvendës kryetarit, Selim Ademi.

  • Për çfarë arsye u anuluar seanca e Këshillit Gjyqësor sot?
  • A i keni numrat e nevojshme për kryetarin e ri të këtij institucioni?
  • Meqë po kritikohet nga disa institucione dhe shkarkimi i saj nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare, a e konsideroni ende Vesna Damevën si të shkarkuar nga kreu i Këshillit Gjyqësor?
  • Si i komentoni kritikat e opinionit publik në lidhje me shkarkimin e Damevës dhe a ka pasur shkelje ligjore në atë procedurë?

Rikujtojmë që Ademi më herët ka qenë zyrtar i lartë i BDI-së ndërsa shkarkimi i Damevës u kërkua pikërisht në kohën kur duhej të ndërmerren masa për gjykatësin e Apelit, Enver Bexheti, i cili kishte mbajtur në sirtar lëndët për Sasho Mijalkov deri në vjetërsimin e tyre.

Mënyra e funksionimit të gjyqësorit ka nxitur reagime edhe të ndërkombëtarëve ndërsa se gjendja është shqetësuese, tregon edhe numri i ulët i qytetarëve që i besojnë pavarësisë së gjyqësorit. Edhe ambasadorja amerikane Aggeler disa herë ka shprehur shqetësimin e saj për këtë.

Me Këshillin Gjyqësor për më pak se pesë muaj kanë udhëhequr dy kryetare. Disa muaj më herët, Pavlina Cërvekonvska dha dorëheqje për shkak të sipas saj, presioneve nga “elita e biznesit dhe gjyqësorit” ndërsa Dameva u shkarkua në mënyrë të kundërligjshme 1 javë më herët. /Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button